Ballina Flash

Rita Ora i thotë “po” ftesës për koncertin në Tiranë

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Rita Ora, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për t’u rikthyer me një koncert madhështor në Tiranë.

Një ditë pasi drejtoresha e përgjithshme e Promovimit, në bashkinë e Tiranës, njoftoi me anë të një postimi në rrjetet sociale, për këtë event, këngëtarja Rita Ora ka ripostuar foton me shënimin se është “e emocionuar dhe e nderuar, për rikthimin në Tiranën time të bukur”.

Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, në mbrëmjen e 6 shtatorit, për të festuar Tiranën si Kryeqytetin Europian të Rinisë 2022. Hyrja do të jetë falas për të gjithë.

Postimi i Rita Orës ka marrë menjëherë vëmendje të madhe dhe ka pasur shumë reagime nga ndjekësit e saj.

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNegociatat me BE, Balla: Ftesa për bashkëpunim me opozitën, e sinqertë
Artikulli tjetërBalla për Reformën Territoriale: Komisioni po vijon punën, akuzat e opozitës gënjeshtra