TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, tha se vendimi i sotëm dërgon një sinjal të fortë drejt Ballkanit Perëndimor dhe konfirmon politikën e zgjerimit të BE-së, që është më përkatëse dhe e rëndësishme në kontekstin gjeopolitik.
“Në këto vite për hapjen e negociatave sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri. Mesazhi im për qytetarët e Shqipërisë është i thjeshtë, ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane”, tha ai.
“Jam krenar dhe u lumtur që jam sot këtu për të festuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke vijuar vendimin e Këshillit Evropian të vitit 2020. Dua të falënderoj të gjitha presidencat për punën që kanë bërë. Ky vendim historik dërgon një sinjal të fortë drejt Ballkanit Perëndimor dhe më tej. 8 vite nga statusi kandidat sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri. Nga sot e tutje do të injektojmë në negociata një dinamizëm të ri, më shumë besueshmëri, parashikueshmëri. Shqipëria mund të mbështetet te Komisioni dhe ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të përgatitet sa më shpejt për t’u bërë anëtare e BE”, deklaroi ai.
Do të bëjmë përpjekje për shpejtimin e hapave të anëtarësimit, vijoi ai.
“Sot pasdite nisim ‘screening’, që është hapi i parë i negociatave. Jam besimplotë se Shqipëria është e vendosur për të hapur negociatat. Na duhet konsensus mbarëkombëtar, në këtë rrugëtim, na duhen të tërë që janë në Shqipëri për ta mundësuar këtë. Jo vetëm negociata gjithëpërfshirëse, por edhe shteruese. Negociatat kanë një natyrë transformuese. Do të ketë një ndikim madhor, pozitiv tek popullsia, tek ekonomia dhe në të përditshmen e qytetarëve shqiptarë. Ne duam që të gjithë të jenë pjesë e saj dhe të punojë për të. Rruga e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së sapo ka nisur dhe ne jemi të gatshëm të punojmë për ta bërë dhe zhvilluar këtë proces”, tha ai.
/r.e/












