TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Norma e interesit ose kuponi i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë shqiptare shënoi rritje këtë javë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kuponi i këtij instrumenti arriti në 6.25%, nga 5.1% që ishte në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, që u mbajt në janar të këtij viti.
Në ankandin për shitjen e obligacioneve 10-vjeçare u shitën dy miliardë lekë, ndërsa vlera e ofertuar në ankand arriti në rreth 2.32 miliardë lekë.
Sipas ekspertëve rritja e shpejtë e inflacionit e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të nisë kursin e normalizimit të politikës monetare. Norma bazë e interesit është rritur dy herë në katër muajt e fundit dhe ka arritur nivelin 1.75%. Ndërkohë që tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë është edhe segmenti ku rritja e normës bazë të interesit është përcjellë më shpejt.
/r.e/













