TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) i dhuroi ambasadës ukrainase një shumë prej 750 mijë lekësh, nga fondet e mbledhura nga shitja e targave suvenir.
“Çdo ndihmë është një akt fisnik, dhe ju tuajin e keni shprehur përmes porosive të targave suvenir, menjëherë pasi fondi i këtyre targave suvenir iu dedikua Ukrainës”, u shpreh kreu i DPSHTRR-së, Bledi Gonxhja.
Vlera e grumbulluar nga shitja e këtyre targave, xhest simbolik por shumë domethënës, shkoi si ndihmë ndaj popullit të Ukrainës. Fondi iu dorëzua ambasadorit të Ukrainës, në Shqipëri, Volodymyr Shukrov në Fier, ku edhe u zhvillua aktiviteti “OldTimer & Retro Fest2022”.
“Falenderimet janë për të gjithë ju që përmes përdorimit të platformës së porosive të targave suvenir, dhe po ashtu komunitetit Retro e Oldtimers Prizreni, treguat sesi në qendër të këtyre aktiviteteve dhe akteve të miqësisë, qëndrojnë vlerat më të larta të humanitetit”, shtoi Gonxhja.
/r.e/












