Ballina Flash

Shqipëria do të trajtojë pacientët me kancer nga Kosova

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, ka pranuar sot mbështetjen nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, për trajtimin e pacientëve nga Kosova me radioterapi.

Ministri Latifi ka falënderuar homologen e tij Manastirliu për mbështetjen e dhënë për këta pacientë.

Në letrën e ministres Manastirliu, thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës, dhe gjendemi pranë në këtë situatë të krijuar si pasojë e kushteve atmosferike.

“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër. Në këtë kuadër, thuhet në vazhdim të letrës, po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjikë Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaciteteve të Shërbimit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe një herë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim”, përfundon letra mbështetëse e ministres Manastirliu dërguar ministrit Latifi./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAhmetovic: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE-së, po punojmë që javën e ardhshme të çelen negociatat
Artikulli tjetërMETEO – Spanjës i erdhi ajo që priste: 44 gradë Celsius në hije