Ballina Ekonomi

Humbja e pikëve të lejedrejtimit, DPSHTRR: Rikthim në autoshkollë

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor apeloi të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor.

DPSHTRR bëri të ditur se nëse drejtuesi i mjetit humbet të gjitha pikët, do të rikthehet në autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë duhet të rifitojë patentën.

Patenta, sipas DPSHTRR-së, rifitohet vetëm nëse drejtuesi i mjetit ka 3 ose më pak gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalon në testin e praktikës.

Sipas DPSHTRR-së, sot ishte hera e dytë e testimit për norma sjellje, për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.

“Nga 18 persona të riregjistruar, u paraqitën vetëm 5 dhe që të 5-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor (me vetëm 1 mundësi prove). Personat kishin marrë leje drejtimi për herë të parë në vitet: 1994, 2007, 2010, 2014 dhe 2019”, informoi DPSHTRR.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Italia, avokatja më e mirë e Shqipërisë në BE
Artikulli tjetërBordi i Transparencës: Çmimi i naftës 240 lekë për litër