Ballina Aktualitet

Festa e Kurban Bajramit, Spahiu: Shtrini dorën e vëllazërimit

TIRANË, 8 korrik/ Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu i është drejtuar me një mesazh besimtarëve myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Spahiu tha se “Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame. Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pashembullt të Ismailit (a.s.), atë kohë vetëm një fëmijë dhe dhembshurinë e nënës së tij heroike, Haxhires”.

“Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti. Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt. Silluni mirë me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërimit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit. Bëhuni inkurajues për të sëmurët dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët”, theksoi Spahiu.

Spahiu u shpreh se “ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria. E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona! E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin! Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin!”.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerati 14 vjet pjesë e UNESCO-s, destinacion i turistëve nga e gjithë bota
Artikulli tjetërAMF: Dëmet e paguara në tregun e sigurimeve, 2.7 miliardë lekë