TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka organizuar pasditen e sotme një protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Protesta kishte moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”, ndërsa Partia Demokratike kishte kërkuar 2 orë leje në policinë e Tiranës.
Kjo protestë nisi rreth orës 19:00 dhe përfundoi në orën 21:20.
Efektivë të shumë të Policisë së Shtetit u angazhuan në terren, mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit “Shqiponja” dhe punonjës të Gardës.
Në kuadër të protestës u bllokua qarkullimi i automjeteve në disa segmente rrugore si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Fishta”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Zhan D’Ark”.
Në protestën e thirrur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha mori pjesë edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Aktivisti Altin Goxhaj u shpreh sot në protestën e thirrur nga kreu i PD, Sali Berisha se, “është ky burrë që sot i kujton këtyre njerëzve që populli shqiptar ka 9 vjet i tradhëtuar dhe sot është dita që ndryshon. Shqipëria fillon sot rrugën e shpëtimit të saj”.
Ish-deputeti Erjon Piciri në fjalën e tij në protestën e thirrur nga kreu i PD, Sali Berisha, u shpreh se, “sot të bëjmë një nderim për ata njerëz që 32 vite më parë i dhanë goditjen më të fortë diktaturës, gënjeshtrës propagandës. Ky është një ndër momentet më të rëndësishme të historisë sonë”.
Eliona Shkreli, mësuese dhe aktiviste, tha sot në fjalën e saj në protestë se, “kam ardhur nga Shkodra të protestoj për çmimet e larta, për rritjen e çmimit të naftës, për të ardhmen e fëmijëve të mi. Ne duhet të marrim në dorë fatin e Shqipërisë. Kjo qeveri nuk ka të drejtë më, për 9 vite shkatërroi vendin tonë”.
Deputeti i PD, Agron Shehaj në fjalën e tij në protestë, u shpreh se, “unë nuk jam këtu për veten time, nuk jam këtu as për Sali Berishën. Një gjë e madhe na ka mbledhur. E bisedojmë çdo ditë me njerëzit që i njohim dhe familjarët, ajo përmblidhet në një fjali të vetme: Në Shqipëri nuk ka më të ardhme”.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të gruas, deputetja e PD, Albana Vokshi në fjalën e saj në protestë tha se, “kam nderin të jem zëri i mijëra grave dhe vajzave që nuk dorëzohen, që ngrenë zërin kundër padrejtësisë, kundër varfërisë, kundër nënshtrimit ndaj një regjimi që mbjell frikë dhe dëshpërim”.
Kryetari i FRPD dhe deputeti i PD, Belind Këlliçi, në fjalën e tij në protestën e thirrur nga kreu i PD, Sali Berisha, u shpreh se, “Shqipëria jonë sot është në rrezik. Shqipëria e vërtetë, ajo e shumicës reale, e qytetarëve të zakonshëm, po asfiksohet, po meket çdo ditë nga ajo që u shpall prej Rilindjes si Shqipëria që duam”.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në fjalën e saj në protestën e thirrur nga kreu i PD, Sali Berisha tha se, “sot më shumë se kurrë ky bulevard po i jep dhe një herë shpresën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë detyra e opozitës është të mos zhgënjejë shqiptarët siç i zhgënjyen një vit më parë. Sot më shumë se kurrë opozita dhe gjithë shoqëria civile me parti, pa parti, socialistë, kudo që janë, të mblidhen të tërë për të shpëtuar Shqipërinë. Shqipëria është në rrezik më shumë se kurrë”.
Berisha: Ky është fillimi i marshit tonë
Kreu i PD, Sali Berisha u shpreh në protestën e sotme se, “ju erdhët nga të katër anët në këtë bulevard, sepse ju thirri ora e lirisë, ju thirri këtu ora e Shqipërisë. Shqipëria në rrezik – ishte kushtrimi që ju ngriti në këmbë për ta shpëtuar atë”.
“Ju jeni sot këtu sepse ju nuk pranoni më qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të lirive dhe të drejtave të dhunuara. 32 vite më parë kur ne themeluam partinë e parë opozitare, diktatori i fundit komunist dhe partia-shtet kishin në duart e veta të gjitha pushtetet. Sot pasardhësi i tyre Edi Rama ja mbathi, megjithëse ka të gjitha pushtetet. Ka vendosur monizmin e plotë, përsëri ja mbathi. Përsëri do ja mbathë. Kohërat e tij janë të numëruara”, tha Berisha.
“Në emër tuaj do t’i them Edi Ramës këto fjalë: Edi Rama, ne të dy sot jemi armiq. Po pse jemi armiq? E rëndë dhe e hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Sepse ti Edi Rama ke për ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin. Kurse unë me këta burra dhe gra, djem dhe vajza kemi për ideal lirinë, dhe vetëm lirinë”, u shpreh Berisha.
“Ne jemi armiq Edi Rama, sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për të poshtëruar qytetarët, kurse unë dhe këta qytetarë janë sot këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’u kthyer atyre dinjitetin”, theksoi Berisha.
“Edi Rama, jemi sot këtu për t’u betuar para flamurit të kombit, se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin mbi votën e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje! Mos luaj me votën, sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë. Jemi vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të votojnë të lirë. Edi Rama, ti këto kohë, këto vite, je treguar armik i fjalës së lirë. Je treguar armik i egër i fjalës së lirë. Ti ke përdorur metodat e frikës dhe terrorit për të zhytur shqiptarët në heshtje dhe mbyllur gojën e tyre. Ti ke përdorur tendera për të blerë mediat e vendit. Vërsulesh dhe shan me gjuhë ordineri gazetarët, vetëm se ata bëjnë detyrën e tyre. Jam këtu për të garantuar shqiptarët se fjala e lirë do të jetë motoja jonë, beteja jonë, dhe ata që guxojnë të prekin fjalën do të mjerohen”, u shpreh Berisha.
Berisha i bëri thirrje BE-së të hapë negociatat me Shqipërinë.
“Këtë javë shpresojmë që BE të vendosë hapjen e negociatave. Dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë, të hapin negociatat me Shqipërinë, të mos ndëshkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por jo negociatat, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demoni i pushtetit, kryehajduti i Evropës”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu tha se, shqiptarët patriotë i thonë ‘Jo’ Ballkanit të Beogradit dhe Putinit dhe i thonë ‘Po’ Procesit të Berlinit.
“Kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe fjalorin e tij, kur ai shndërrohet në një vasal të serbomadhit Vuçiç, kur ai rrethon Kosovën me tensione e konflikte, kur ai nuk ka interesa shqiptare por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rrimë pa i thënë: Edi Rama, populli opozitar, shqiptarë, patriotë kudo që janë, do t’i thonë ‘Jo’ Ballkanit të Hapur, ‘Jo’ Ballkanit të Beogradit, ‘Jo’ Ballkanit të Putinit. Do t’i thonë ‘Po’, Procesit të Berlinit, Ballkanit të Brukselit, rrugës tonë drejt Evropës”, tha Berisha.
Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Berisha përfundoi në mënyrë paqësore.
/a.a/r.e/












