BRUKSEL, 1 korrik /ATSH-AFP/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje sot Ukrainës që të përshpejtojë reformat e saj kundër korrupsionit, duke e siguruar vendin për mbështetjen në “rrugën e gjatë” drejt anëtarësimit në BE.
Von der Leyen vlerësoi reformat e kryera tashmë dhe institucionet e vendosura për të krijuar “një makineri mbresëlënëse kundër korrupsionit”, në një fjalim video-konferencë para deputetëve ukrainas.
“Por, tani këto institucione kanë nevojë për mjete veprimi dhe njerëzit e duhur në pozitat e përgjegjësisë”, tha ajo.
“Është e domosdoshme që kreu i ri i prokurorisë së specializuar në luftën kundër korrupsionit dhe drejtori i ri i Zyrës Kombëtare të Ukrainës për Luftën kundër Korrupsionit të emërohen sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi kreu i ekzekutivit europian.
Lidhur me projektin e reformës në Gjykatën Kushtetuese, ajo e cilësoi të “domosdoshme parashikimin, nëpërmjet legjislacionit, të një procedure për përzgjedhjen e gjyqtarëve”.
Von der Leyen bëri thirrje gjithashtu për miratimin e një “ligji për median, i cili sjell legjislacionin ukrainas në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe i siguron autoritetit të pavarur rregullator të medias mjetet e nevojshme”.
Më 23 qershor, BE i dha Ukrainës statusin e kandidates./ /a.i/























