Ballina Ekonomi

Kompensimi i kompanive për çmimet e materialeve të ndërtimit, 6 miliardë lekë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Mbi 300 kompani do të përfitojnë nga Akti Normativ i qeverisë për kompensimin e çmimeve të hekurit, çimentos, bitumi, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut në kontratat publike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se nevoja për ndërhyrje në sektorin e investimeve publike, që lidhen ngushtë me infrastrukturën dhe rindërtimin, dy nga sektorët më prioritarë dhe jetikë për momentin, është një emergjencë kombëtare.

“Janë rreth 6 miliardë lekë që do të mundësojnë vazhdimin e punëve publike, duke e çuar mbështetjen për përballimin e efekteve negative në ekonomi në 44.15 miliardë ose 2.32 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, deklaroi ajo gjatë diskutimeve për Aktin Normativ në seancën plenare të Kuvendit.

Situata e veçantë e krijuar nga efektet e luftës në Ukrainë, por jo vetëm, ka krijuar problematika me ecurinë e investimeve publike.

Rritja e ndjeshme e çmimeve për materialet e ndërtimit ka ngadalësuar ose ndaluar një pjesë të kontratave publike, pasi ecuria e mëtejshme do të shkaktonte humbje të ndjeshme të parikuperueshme për kompanitë e ndërtimit deri në falimentimin e tyre.

Kjo situatë do të sillte ndërprerjen e punimeve dhe si pasojë do të kishim shtyrje të përfundimit të objekteve shoqëruar me efektet të tjera negative.

Duke analizuar zbatimin e buxhetit të shtetit për 5-mujorin, MFE vërejti se niveli i investimeve publike me financim të brendshëm është ngadalësuar, duke arritur në 14 % të totalit të shumës së programuar për vitin 2022, nga 31 % që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nisur nga kjo situatë, qeveria hartoi një Akt Normativ, përmes së cilit përcaktohen rregullat për kompensimin e çmimit të disa materialeve të ndërtimit që kanë pësuar rritje.

Procedura e përcaktimit të kompensimit është përcaktuar me detaje dhe realizohet në formën e kontratës shtesë. Pagesa bëhet kundrejt punës së kryer dhe pas verifikimit të përdorimit të materialeve të përcaktuara në këtë Akt, mbështetur në situacionin e punimeve në faturën e blerjes.

Kompensimi i operatorëve që përmbushin kriteret e këtij Akti Normativ bëhet nga 5-30 % të vlerës së kontratës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Itali, projekte të reja në fushën e arsimit
Artikulli tjetërKrifca: Blegtoria mbulon 97% të nevojave të tregut vendas për qumësht