TIRANË, 29 qershor/ATSH/ 130 vjet më parë, në 29 qershor të vitit 1892 u nda nga jeta Vaso Pasha.
Vaso Pashë Shkodrani ose Pashko Vasa, siç e njeh dhe historia, ishte shkrimtar, poet dhe publicist i Rilindjes Kombëtare.
Lindi në Shkodër, më 17 shtator 1825. Kreu mësimet e para në vendlindje dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Ndërsa në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane.
Vaso Pasha u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë gjatë viteve 1878-1882.
Gjithashtu njihet si ndër veprimtarët më aktiv të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” më 1879. Ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).
Si autor i shumë veprave politike e historike me anë të penës së ai mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e kombit për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).
Vdiq në Liban, më 1892, kurse eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër.
/r.e/













