Ballina Ekonomi

Sfidat për ta bërë bujqësinë rezistente ndaj krizave

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Në vigjilje të Samitit të G7, ministra të Jashtëm, të Ekonomisë dhe Bujqësisë nga shumë vende të botës u mblodhën në Berlin me ftesë të qeverisë gjermane së bashku me organizata ndërkombëtare, banka zhvillimi dhe filantropë, për të diskutuar sfidat e garantimit të ushqimit për vendet më vulnerabël si pasojë e shkëputjes së hallkave të zinxhirit ushqimor prej luftës në Ukrainë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e pranishme në këtë takim u shpreh se, “përveç garantimit të ndihmës humanitare të menjëhershme, çlirimit të stokut të produkteve në Ukrainë për eksport, u vu theksi në ndërtimin e sistemeve ushqimore më të qëndrueshëm”.
Gjithashtu theksoi Krifca, fokus i këtij takimi ishte edhe forcimi i komitetit global për garancinë ushqimore si një platformë ndërqeveritare gjithëpërfshirëse që vendos instrumenta financiarë në dispozicion të situatës.
“U nënvizua nevoja për përdorimin e farave dhe fidanëve të cilësisë së lartë, përdorimi në mënyrë eficiente i plehruesve dhe rritje e përdorimit të inovacionit dhe teknologjisë si praktika të duhura për ta bërë bujqësinë rezistente ndaj faktorëve të paparashikueshëm dhe krizave”, tha ministria.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Snap in flight”, liqeni i Shkodrës në fokusin e fotografëve shqiptarë dhe të huaj
Artikulli tjetërManastirliu: Mbërrijnë testet e para për linë e majmunit, do të kryhet në ISHP