Ballina Aktualitet

Mocioni i PD-së për mandatin e Xhaçkës, Këshilli shtyn diskutimin

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për shqyrtimin e mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në diskutimet që u bënë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka kërkoi më shumë kohë që deputetët të njihen me kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj në tha se nga 1/10 e deputetëve të parlamentit është kërkuar pavlefshmëria e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

“Kërkesa është e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënien e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me znj. Xhaçka. Ekstratet nga institucionet që përcaktojnë kush është administratori i shoqërive përkatëse. Kërkesa i ka të gjithë elementët. Janë përcaktuar qartësisht dispozitat ligjore, shkelja e tyre, analiza e fakteve dhe pjesa e provave. Sa i përket shtjellimit të përmbajtjes, do ta bëjë z. Korreshi”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, Bushka bëri me dije se ajo vetë, por edhe kolegë të tjerë si Ermonela Felaj kanë qenë jashtë Shqipërisë, të angazhuar në konferenca ndërkombëtare kur është bërë kërkesa, ndaj kërkoi shtyrjen në një tjetër datë të mbledhjes.

“Do të ishte në seriozitet të punës së këtij Këshilli që të gjithë kolegët të lexojnë materialet para fillimit të prezantimit të kërkesës. Kërkesa ka ardhur në datën 20, kohë kur ne nuk kemi qenë në Tiranë, ndaj do kërkoja që ta shtyjmë në mbledhjen tjetër prezantimin dhe diskutim për këtë çështje, që edhe kolegët ta lexojnë siç duhet”, tha ajo.

Por propozimin e socialistëve, Alibeaj e ka konsideruar si jo serioze duke kërkuar konsensus që në mbledhjen e sotme të paktën të bëhet prezantimi i fakteve nga PD.

“Nuk është se kërkojmë që një çështje kaq serioze të mund të bjerë në joseriozitet. Mund të jetë dhe e logjikshme kërkesa për t’u njohur me dokumentacionin. Po bëj dhe unë një kërkesë, znj. Xhaçka duhet të ishte këtu. Edhe znj. Xhaçka për hir të procesit të rregullt ligjor, do duhet t’i jepet mundësia, koha për të dhënë shpjegimet e veta. Kërkesa të tilla për ta shtyrë se nuk jemi njohur me dokumentacionin, besoj se ia ulin seriozitetin. Kërkesa jonë është depozituar prej kohësh”, u shpreh Alibeaj.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh se PD po bën teatër me çështjen e heqjes së imunitetit të ministres Olta Xhaçka.

Balla tha se çështja ka zero substancë, megjithatë, sipas tij, u duhet dhënë kohë deputetëve të njihen me dokumentacionin.

“Kam merak që një pjesë e deputetëve nuk e njohin rolin e Këshillit për këtë rast. Nëse ju keni ndërmend të bëni debat për këtë çështje, debat nuk ka. Nëse ju keni ndërmend të bëni teatër me këtë çështje, teatër nuk ka. Ajo që tha Bushka nuk kishte nevojë për koment nga ana juaj. Diskutimi këtu është i karakterit kushtetues, nuk e heqim dhe as nuk e japim ne mandatin. Mandatin e heq Gjykata Kushtetuese. Ajo që bëjmë ne nuk hyn fare në thelb, aty hyn vetëm Kushtetuesja. Keni sjellë dokumentacionin dhe ai duhet lexuar. Në fund ky institucion këtu nuk merr vendime. Që të jemi korrektë me detyrën që na ka ngarkuar ne Kuvendi i Shqipërisë, gjithë dokumentacionin që ka ardhur duhet ta verifikojmë”, tha Balla.

Në fund Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shtyu mbledhjen deri sa deputetët të bëjnë një studim paraprak të të gjithë dokumentacionit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE diskuton për ekonominë pas vendimit historik për Ukrainën
Artikulli tjetërMuaji i muzikës, përkujtohet kantautori Françesk Radi