TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Në drejtimin e zv.ministrit të Financave dhe të Ekonomisë Besart Kadia, u zhvillua në Tiranë, takimi i grupit të punës për hartimin e dokumentit të politikave të “Programi i eksporteve 2023-2027”.
Dokumenti do të hartohet mbështetur në analizën e treguesve statistikorë të zhvillimit ekonomik dhe të ecurisë së tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, si edhe të anketimit të ndërmarrjeve eksportuese nëpërmjet AIDA.
Qëllimi i këtij dokumenti është të mbështesë konkurrueshmërinë e NMVM-ve shqiptare në zinxhirin e vlerës në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, nëpërmjet evidentimit të pengesave aktuale në treg dhe adresimin e tyre për nxitjen e eksporteve.
Sipas anketimit, disa nga sugjerimet më të rekomanduara nga biznesi rezulton të jenë: lehtësim i procedurave doganore me vendet e BE-së; krijimi i lehtësirave fiskale; krijimi i lehtësive financiare, si mbështetja me grante, programe, kredi të buta, etj.; njohja dhe kthimi i vlerës së TVSH-së në momentin e eksportimit dhe nxitja e përdorimit të teknologjisë me qëllim uljen e kostove të prodhimit.
Ndërkohë kërkohet organizimi i seminareve dhe programeve të trajnimit, me qëllim trajnimin e stafit për evidentimin e tregjeve të huaja dhe ndjekjen e procedurave të eksportit.
/j.p/r.e/






















