Ballina Flash

Mbahet konferenca kombëtare mbi E-Demokracinë parlamentare

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Ditën e djeshme, u mbajt në Tiranë konferenca kombëtare “E-Demokracia Parlamentare, mjet i rëndësishëm në epokën digjitale për marrjen e kontributit qytetar në proceset vendimmarrëse dhe legjislative të Kuvendit të RSH”.

Kjo konferencë e realizuar në kuadër të projektit PACEP pati në fokus nxitjen e debatit dhe diskutimit publik mbi Participatory Democracy, një praktikë e zhvilluar dhe e konsoliduar në Estoni, Finlandë dhe Lituani.

Rreth 50 pjesëmarrës, ndër të cilët përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, KQZ-së, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave personale, ekspertë të fushës dhe të rinj, ndanë së bashku mendime, opinione e diskutime lidhur me rëndësinë që ka e-democracy, si dhe adresimi i peticioneve e nismave ligjvënëse nëpërmjet nënshkrimit elektronik, bëri të ditur Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Panelistët nga vendet europiane ndanë praktikat më të mira, eksperiencën e rezultuar dhe hapat e ndërmarra për të arritur nivelin që ka sot demokracia në vendet e tyre.

Ndër panelistët e ftuar në këtë konferencë ishin, Kujtim Çashku, themelues dhe president i Asamblesë së Përgjithshme të Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ana Kovacevic-Kadovic, drejtore rezidente e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI Albania – National Democratic Institute), Aurela Anastasi, eksperte e hartimit të ligjit për nismat ligjore nga 20,000 zgjedhës në vendin tonë, Grida Duma, kryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Sihana Nebiu, shefe e departamentit të Demokratizimit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri (OSCE Presence in Albania), Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Sokol Berberi, pedagog, ekspert Konstitucionalist, Oerd Bylykbashi, deputet, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Pranvera Resulaj, deputete, anëtare e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Ina Zhupa, zv/kryetare e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.

Sot, një pjesë e madhe e aktiviteteve të përditshme të njerëzve mbështeten në shërbimet dixhitale. Megjithatë, duket se ky perceptim nuk njeh zhvillim proporcional në përfshirjen e qytetarëve në politikëbërje nëpërmjet mjeteve teknologjike.

Pavarësisht se gjithnjë e më shumë aktivitete dhe fushata të ndryshme krijohen e shndërrohen në objekt diskutimi nëpërmjet internetit, impakti i tyre në vendimmarrjen e politikëbërësve mbetet i tkurrur.

Përballja e sistemeve legjislative dhe atyre vendimmarrëse, si dhe një sërë institucionesh publike me pandeminë globale COVID-19, ka bërë që një numër i lartë parlamentesh në nivel rajonal dhe europian eksploruan mënyra të reja për të digjitalizuar aktivitetet e tyre, me synim përcjelljen e informacionit në kohë reale tek publiku i gjerë.

Një shembull pozitiv në këtë drejtim vlerësohet edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Një sërë tendencash vërehen në të gjithë BE-në dhe më gjerë vitet e fundit, për sa i përket përdorimit të mjeteve teknologjike për përmirësimin e demokracisë.

Pavarësisht nga tendenca e nivelit të ulët të angazhimit qytetar si rrjedhojë e zbatimit të mënyrave tradicionale të pjesëmarrjes, duket se qytetarët mbeten të interesuar në vendimmarrjen publike dhe politikën.

Eurobarometri standard i Komisionit Evropian ka identifikuar se 76 % e qytetarëve të BE-së janë të interesuar për politikat e tyre kombëtare.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Dita Botërore e Muzikës” sjell larmi aktivitetesh në Tiranë
Artikulli tjetërNikolla shpreh solidaritet në veprimtarinë “Përqafojmë Ukrainën”