Ballina Ekonomi

Shqipëria, e katërta në CEFTA që standardizon programin kombëtar OEA

Dogana

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Administrata Doganore e Shqipërisë përfundoi me sukses procedurën për njohjen rajonale të programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA) në CEFTA, Marrëveshja e Europës Qendrore për Tregti të Lirë.

Programi u mundëson operatorëve ekonomikë një “certifikatë cilësie/status të veçantë” të njohur ndërkombëtarisht, që tregon angazhimin e tyre ndaj sigurisë në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit, si dhe u jep të drejtën për një trajtim preferencial doganor.

Grupi i vlerësimit të CEFTA, nën mbikëqyrjen e DG TAXUD të Bashkimit Evropian, në fund të vlerësimit disaditor në Tiranë, vlerësoi se programi i Doganave Shqiptare për Operatorët Ekonomike të Autorizuar i ka plotësuar të gjitha kriteret, sipas standardeve të Protokollit të CEFTA-s duke marrë opinionin pozitiv.

Shqipëria është vendi i katërt në CEFTA që validon programin e saj kombëtar OEA dhe njohja reciproke midis programeve të OEA-ve në rajon, do të thotë se OEA-të shqiptare, përveç përfitimeve të ofruara nga administrata e tyre doganore do të kenë gjithashtu përfitime më të mëdha në vendet e CEFTA-s, të tilla si kalimi me përparësi nëpër pikat kufitare, më pak kontrolle, shmangia e dërgimit të dyfishtë të dokumenteve dhe verifikimeve.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë tashmë marrëveshjet biletarale të njohjes reciproke të OEA në kuadër të nismës Ballkani Hapur dhe i njëjti tekst i marrëveshjes është negociuar në nivel teknik edhe me Kosovën.

Certifikata OEA mundëson një akses të menjëhershëm në të gjithat pikat doganore, për të gjitha kompanitë që eksportojnë në çfarëdolloj fushe, si fason, agro-industri, bujqësi, ku ekziston nevoja për të qarkulluar përtej një vendi, që mund të jetë vendi më i afërt, por edhe në vende të tjera brenda BE-së ku kjo marrëveshje njihet.

Gjatë vitit 2021, DPD ka miratuar statusin për tetë Operatorë të Autorizuar Ekonomikë, kryesisht nga bizneset më të konsoliduara. Ndërkohë, po shqyrtohen edhe nëntë aplikime të tjera për të përfituar këtë status.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMETEO – Një breshër në madhësinë e topave të tenisit godet Francën Jugperëndimore
Artikulli tjetërBinjakëzimi me Beratin, Meta pret zyrtarë të provincës së Materas