Ballina Flash

“Java e Filmit Kosovar”, 8 filma për publikun e Mitrovicës

PRISHTINË, 14 qershor/ATSH/ Në Mitrovicë organizohet “Java e Filmit Kosovar”.

Pas sukseseve të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare, organizata kulturore 7Arte organizon një javë me shfaqjen e filmave më të njohur kosovarë, shumica prej të cilëve shfaqen për herë të parë para publikut mitrovicas.

Për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga 20 –26 qershor, do të shfaqen 8 filma në ambient të hapur, në tarracën e 7Arte, në qendër të qytetit.

“Java e Filmit Kosovar” në Mitrovicë, fillon me shfaqjen premierë të filmit “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit, e cila bashkë me producenten Valbona Rrahmanin, do të jenë të pranishme dhe do të bashkëbisedojnë me audiencën pas shfaqjes së filmit.

Të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave do iu dedikohen kineastëve kosovarë, si mbështetje, gjë që përkon edhe me vet qëllimin e organizatës 7Arte.

Ky aktivitet realizohet në koordinim dhe mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe produksioneve filmike.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Programi i filmave te parashikuar të shfaqen gjatë kësaj jave:

“Luaneshat e Kodrës” (83’)

“Zana”(97’)

“Babai” (94’)

“Cirku Fluturues”(115’)

“Zgjoi” (84’)

“Pa Vend”(15’)

Në Mes (18’)

“Rooftop Story”(74’)

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Mesiç: Kosova është realitet dhe kjo nuk mund të ndryshohet
Artikulli tjetërBerisha: Harta e re gjyqësore antikushtetuese