TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Kryetarët e komunave të Kosovës dhe disa bashkive shqiptare u mblodhën sot bashkë në qytetin e Prizrenit, aty ku u përkujtua 144-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pasi u pritën nga kryetari komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në ndërtesën e Shtëpisë së Bardhë, kryebashkiakët u ndalën në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u mbajt edhe ceremonia përkujtimore.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e mbajtur në këtë ditë të rëndësishme, që shënon një prej ngjarjeve më të mëdha historike të mbarë kombit shqiptar, deklaroi se Lidhja Moderne e Prizrenit është shkrirja e kufijve edhe rritja e bashkëpunimit mes njëri-tjetrit.
“Mirënjohje Komunës së Prizrenit, Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës për këtë organizim kaq dinjitoz, siç i ka hije kësaj ngjarje të madhe! Është një kënaqësi e veçantë të jemi bashkë në Prizrenin historik, në këtë shtëpi historike dhe besoj fort që ky takim i sotëm, e ka edhe ai përmasën e vet historike.
Dua të quaj “Lidhja Moderne e Prizrenit””, tha Veliaj, teksa e cilësoi “një lidhje të re, që bën bashkë, si dikur paraardhësit tanë nga të gjithë trevat shqiptare”.
Veliaj tha se, “si qytete shqipfolëse e kemi lidhur sakaq një besë nën frymën e Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon, që duhet mbajtur dhe prandaj jemi sot këtu në Prizren. Besë për ta vijuar këtë bashkëpunim! Dhe kush është shqiptar e di mirë se ç‘është besa. Ia di mirë vlerën sepse jemi të lidhur në asht me besën”.
“Kjo “Lidhja Moderne e Prizrenit” është një vazhdimësi”, nënvizoi kryebashkiaku i Tiranës.
“Ta gëzojmë këtë ditë dhe ju falënderojmë të gjithëve për mikpritjen, dashurinë dhe vëllazërinë”, tha Veliaj.
/r.e/























