Ballina Aktualitet

Zhupa: Butrinti po ndahet në dy pjesë

TIRANË, 9 qershor /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në interpelancën e kërkuar prej saj me ministren e Kulturës Elva Margariti, deklaroi sot në Kuvend se Butrinti po ndahet në dy pjesë duke i hequr 800 ha të peizazhit të mbrojtur.

Zhupa tha se ka kërkuar shpjegime nga ministrja e Kulturës Elva Margariti në lidhje me kontratën e koncesionit për Parkun Kombëtar të Butrintit, sepse është garantuar që Butrintin do ta ndajnë në dy copa.

“Njërën copë në qytetin antik, atje ku prodhohen bileta, ia japin në administrim një fondacioni privat dhe pjesën e Parkut Kombëtar e ndajnë e i japin pjesë për resorte disa privatëve të tjerë duke hequr nga zona e mbrojtur 800 ha të peizazhit dhe Parkut Kombëtar të Butrintit”, theksoi ajo.

Në vijim, Zhupa iu drejtua ministres së Kulturës Margariti me pyetjen se si ka mundësi që shteti heq dorë nga trashëgimia kulturore.

“Pyetja është: si ka mundësi që shteti të heqë dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore, nga mbrojtja e vlerave arkeologjike, historike, mjedisore, turistike dhe këto t’ia delegojë një privati? Si ka mundësi që Ministria e Kulturës del e thotë se administrimi i Butrintit ka dështuar për shkak të politizimit të administratës dhe paaftësisë së administratës? Këto janë dy argumentet se shteti nuk e administron vetë, por ia kalon privatit, në kundërshtim me Konventën e Parisit”, tha Zhupa.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta, tituj vlerësimi për shoqatat e Miqësisë me Finlandën
Artikulli tjetërBalla: Ura mbi Bunë projekt historik, na bashkon me vëllezërit tanë në Ulqin