TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Mirëmenaxhimi i financave publike dhe stabiliteti makroekonomik janë prioritete kryesore të qeverisë shqiptare.
Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u organizua takimi i 10-të i Komitetit Teknik të Menaxhimit të Financave Publike, që u drejtua nga sekretari i përgjithshëm i MFE-së, Arlind Gjokuta.
Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues nga Kryeministria, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia e Prokurimit Publik, Komisioni i Prokurimit Publik, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, INSTAT, Departamenti i i Administratës Publike, si edhe nga njësitë brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi draftraportin e Monitorimit për vitin 2021 të Strategjisë së MFP-së 2019-2022.
Krizat të cilat goditën vendin tonë, tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia COVID-19, vështirësuan arritjen e disa nga objektivave të strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike, efektet e të cilave vijuan edhe gjatë vitit 2021.
Pjesëmarrësit në këtë takim prezantuan arritjet kryesore gjatë vitit 2021 si ulja e raportit të borxhit publik ndaj PBB në krahasim me vitin 2020, përmirësimi dhe rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ulja e detyrimeve të prapambetura, forcimi i planifikimit strategjik dhe menaxhimi i buxhetit në nivel lokal, përfshirja më e madhe e shoqërisë civile, përmirësimi i kuadrit ligjor në fusha të ndryshme, krijimi i një sistemi më të fortë të menaxhimit financiar dhe mjedisit të kontrollit të brendshëm dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve të KLSH.
Në diskutimet nga pjesëmarrësit rezultoi se ka fusha të cilat kërkojnë angazhim dhe vëmendje më të shtuar për të arritur në nivelet e duhura, ndaj dhe MFE, në bashkëpunim me njësitë përgjegjëse do të rrisë përpjekjet për adresimin dhe realizimin e tyre.
/j.p/r.e/























