TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi bëri të ditur se, pas suksesit të thirrjes së gjashtë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, shumë shpejt nis thirrja e shtatë.
Muzhaqi u takua me përfaqësuesit e institucioneve private në Shqipëri, bashkë me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, për të diskutuar mbi risitë që ofron kjo thirrje e re, ku të rinjtë të zhvillojnë praktikën e punës.
“Përveçse një eksperiencë shumë e vlefshme për zhvillimin e aftësive profesionale, akademike dhe personale, praktika e punës iu vlen të rinjve pjesëmarrës edhe si përvojë e njohur pune në çdo aplikim të mëtejshëm”, tha Muzhaqi.
Sipas saj, aplikimi për thirrjen e shtatë do të hapet në muajin korrik dhe praktika do të zhvillohet përgjatë muajve shtator-dhjetor të këtij viti.
“Risia për këtë vit do të jetë përfshirja e shoqërive tregtare dhe organizatave jofitimprurëse si pjesë e ofertave për praktikën e punës, përveç atyre të institucioneve qendrore, vendore apo të pavarura”, bëri të ditur Muzhaqi.
/j.p/r.e/






















