TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Qeveria ka miratuar instrumentin e garancisë sovrane, që i vjen në ndihmë importuesve dhe përpunuesve të produkteve bazë ushqimore, me qëllim sigurimin e kredive për kapital qarkullues, në kushtet e rritjes së çmimeve nga kriza e krijuar në tregjet ndërkombëtare.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, diskutoi sot aktin normativ “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””.
Relatorja e çështjes, Aurora Mara tha se “akti normativ është një nismë ligjore që qeveria e nxjerr në mbështetje të biznesit për likujditet, në kushtet e përballimit të situatës së krizës krijuar nga lufta në Ukrainë”.
Sipas saj, situata emergjente është krijuar nga rritja e menjëhershme e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tregun shqiptar, ardhur si pasojë e situatave të ndikuara nga tregu ndërkombëtar dhe lufta në Ukrainë.
“Të gjitha subjektet, që tregtojnë produkte me shumicë, të nevojshme për furnizimin e popullatës, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë, për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg. Në kushtet kur masat për mbajtjen e një rezervë 3-mujore të produkteve kërkon një likuiditet të konsiderueshëm, të cilin një pjesë e mirë e subjekteve nuk e disponojnë, dhënia e një garancie shtetërore, rrit aksesin në financim të këtyre subjekteve pranë sistemit tonë bankar, mbështetur nga instrumenti i garancisë sovrane”, tha Mara.
Mbështetur në ligj, shteti mund të garantojë garanci shtetërore për huadhënie nga bankat tregtare tek subjektet brenda një periudhe 3-mujore.
Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit Publik në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë Klesiana Halili, tha se “garancia shtetërore që është planifikuar për biznesin në situatën emergjente të rritjes së çmimeve, parashtron si përfitues të garancisë shtetërore bizneset të përpunojnë dhe importojnë produkte bazë ushqimore si miell masiv, oriz, vaj luledielli dhe sheqer”.
Halili theksoi se, “këto biznesi do të mbështeten me një garanci shtetërore në masën 60 %, teksa garancia shtetërore miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe nënshkruhet nga ministrja e Financave me bankat tregtare”.
“Çdo biznes që futet në këto kategori mund të aplikojë për të përfituar hua nga bankat si likuiditet, mbështetur nga garancia sovrane”, tha Halili.
/a.a/r.e/






















