TIRANË, 17 maj /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, diskutoi sot projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.
E pranishme në këtë mbledhjen e komisionit, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit,
Almira Xhembulla, tha se, “projektligji që paraqesim sot të propozuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka për qëllim ndalimin e gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë edhe pesë vite të tjera me qëllim rivitalizimin e të gjitha llojeve të faunës së egër, objekt ose jo i gjuetisë”.
“Kjo periudhë 5-vjeçare e parashikuar në këtë projektligj do të ndihmonte në drejtim të rimëkëmbjes së popullatave të të gjitha llojeve të shpendëve dhe do të jepte mundësinë për një pasurim të ndjeshëm të biodiversitetit në Shqipëri. Rritja e tij dhe sidomos e efektivave të shpendëve do të sillte pa dyshim edhe një rritje të plotë të turizmit që lidhet me vizitorët vrojtues të shpendëve (“birdwatching”). Mijëra qytetarë, vendas dhe sidomos të huaj, do të vizitonin mjediset tona natyrore dhe do të sillnin një kontribut të ndjeshëm në ekonominë lokale dhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë”, deklaroi Xhembulla.
Sipas saj, nëpërmjet këtij akti ligjor, synohet të arrihet një lloj qetësie e nevojshme për rimëkëmbjen e llojeve të faunës së egër, që janë objekt gjuetie, por edhe të llojeve të tjera që nuk janë objekt gjuetie, por ndikohen nga gjuetia e paligjshme.
“Gjatë viteve 2014-2016 në vendin tonë, kanë qenë në zbatim dy ligje për moratoriumin e gjuetisë, çka ka sjellë gjatë kësaj periudhe 7 vjeçare, ripërtëritje të faunës së egër. Në periudhën pas moratoriumit numri total i shpendëve ka pësuar rritje. Censusi ndërkombëtar i shpendëve të ujit na ka ndihmuar ne të kemi data dhe evidenca që tregojnë rritje të numrit të këtyre llojeve, kryesisht në Zonat e Mbrojtura por jo vetëm”, theksoi zv.ministrja, teksa nënvizoi se, “nëse në 2016 janë vrojtuar 98 mijë shpendë të egër, në vitet në vazhdim deri në 2022, kemi një rritje prej 80% të numrit të shpendëve në shkallë vendi, që llogaritet në rreth 140 mijë shpend të vrojtuar dhe të monitoruar”.
Xhembulla vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar raste të gjuetisë së paligjshme ndaj tha ajo, “po bashkërendojmë punën me institucionet përkatëse për të parandaluar raste të tilla”. /j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.