PARIS, 16 maj /ATSH- DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar sot si kryeministren e re të vendit ish-ministren e Punës, Punësimit dhe Integrimit, Elisabeth Borne.
Borne, 61 vjeç, iu bashkua partisë së Macron “La République en Marche” (Republika në Lëvizje) në vitin 2017, menjëherë pas themelimit të saj.
Borne ka punuar për ministri të ndryshme, si dhe në kompaninë shtetërore të hekurudhave dhe transportit në Paris.
Në vitin 2017, Borne u bë zëvendësministre, në 2019 ministre për Ndryshimet Ekologjike dhe në vitin 2020 ministre e Punës, Punësimit dhe Integrimit.
Macron u rizgjodh në presidencë në muajin prill, duke mundur kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen në një fitore bindëse në balotazh.
Borne është gruaja e dytë që emërohet si kryeministre e Francës. Deri më tani, vetëm Edith Cresson ka shërbyer në këtë post, nga maji 1991 deri në prill 1992. //a.i/























