Ballina Flash

Në Bruksel sot raundi i ri i dialogut, ja çfarë do diskutohet

PRISHTINË, 13 maj /ATSH/ Në Bruksel do të zhvillohen sot takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje për targat e automjeteve, energjinë në veri të vendit dhe personat e zhdukur.

Takimin për KosovaPress e kanë konfirmuar nga Bashkimi Evropian dhe zyra e Bislimit.

Njohësit e procesit të dialogut janë optimistë për arritjen e një ujdie mes dy vendeve, pas takimit të javës së kaluar të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Vuçiç në Berlin të Gjermanisë.

Ndërsa zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë për KosovaPress se takimi i radhës i kryenegociatorëve përveç diskutimeve për arritjen e marrëveshjeve ka qëllim edhe përgatitjen e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut.

Muajin e kaluar dështoi të arrihet marrëveshja për targat e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq zhvilluan një takim në Berlin, ku kreu qeveritar tha se u diskutua për marrëveshjet e mundshme që do të arrihen në takimin e kryengociatorëve.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShkatërrim prone me zjarr, në pranga 2 shtetas
Artikulli tjetërGJERMANI – Ekstremistë të djathtë pjesë të agjencive të sigurisë