PRISHTINË, 12 maj /ATSH/ Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 22 raste të reja me koronavirus nga 528 testime të kryera dhe fatmirësisht asnjë rast i vdekjes.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se në 24 orët e fundit janë dhënë 158 doza të vaksinës kundër COVID-19.
“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.827.497 doza të vaksinës. Deri më sot 822.481 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 102.191 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.
“Sot janë shëruar 20 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 224.695. Në total numri i rasteve aktive është 352”, përfundon njoftimi.












