TIRANË, 29 prill/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi se bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për projektin e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, do të mundësojë punësimin e banorëve të zonës në veprimtari të ndryshme.
Në një intervistë në media, Margariti tha se synimi është që në këtë fondacion të jenë 110 punonjës.
Sipas saj, qasja e parë ndaj punësimeve, do të jenë pikërisht banorët e zonës dhe komunitetit lokal, ku këtu përfshihen edhe ekspertë të arkeologjisë.
Ndërkohë që për përfshirjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Margariti theksoi se ai do të ndihmojë me një grant prej 5 milionë dollarësh, që do të investohen në këtë sit arkeologjik.
Së fundmi, sipas ministres së Kulturës, ky projekt do të synojë që të rrisë buxhetin që arkëtohet për Parkun e Butrintit, dhe që shteti të mos detyrohet më të kontribuojë.
“Një nga rekomandimet ka qenë përfshirja e komunitetit në këtë aset. Ka një numër banorësh lokalë që punojnë për mirëmbajtjen. Përmes këtij fondacioni, ne synojmë rritjen e punonjësve. Kemi 14 punonjës dhe duam ta çojmë në 44 me kohë të plotë. Në total mendoj që mund të jenë 110 punonjës për këtë fondacion”, tha ajo.
/r.e/























