Ballina Ekonomi

Ekonomi: Shqipëria e para në rajon për shërbimet digjitale

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi tha se, “lehtësimi i shërbimeve publike për qytetarin, pa burokraci dhe kosto kanë qenë në fokus të qeverisë socialiste që në fillim të mandatit të saj”.

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, për revolucionin digjital që ka shënuar Shqipëria, Ekonomi tha se “më 30 prill ne mbyllim sportelet publike duke ofruar shërbimeve publike nëpërmjet platformës digjitale e-Albania, duke u mbështetur në parimin themelor që është barazia e qytetarëve përpara ligjit. Pavarësisht kush e kërkon shërbimin, ku jeton ai në zonë urbane apo rurale”.

Ministrja theksoi se, ky revolucion digjital shërbimesh publike, nuk do të ishte i mundur pa AKSHI-n, që mundësoi inxhinierimin e të gjithë procesit.

“Falë kësaj pune të madhe ne sot kemi mundësi t’i kemi shërbimet tona online. Ecuria pozitive e  këtij procesi e ka vendosur Shqipërinë në fokus të vlerësimeve pozitive në raportet e ndryshme ndërkombëtare, të BB, Sigmës, Berzhit etj. Shqipëria është vlerësuar e para në rajon për përpjekjet në shoqërinë digjitale”, deklaroi Ekonomi, teksa vuri në dukje se, “përmes digjitalizimit të shërbimeve, kemi arritur një objektiv tjetër madhor, siç është lufta kundër korrupsionit. Duke shmangur kontaktin e punonjësve të administratës me qytetarin kemi shkurtuar kohë në shërbime dhe kosto”.

Ekonomi vlerësoi se, shërbimet online kanë mbështetur bizneset të shkojnë drejt tregjeve më të largëta, ndërsa në kohën e izolimit nga pandemi ishte platforma e-Albania ajo që mundësoi për qytetarët marrjen e shumë shërbimeve dhe pagave të luftës.

“Digjitalizimi është një proces që u zhvillua edhe më shumë gjatë kohës së COVID-19.  Zhvillimi i mëtejshëm i këtij shërbimi kërkon konsolidimin e infrastrukturës digjitale të gjithë territorin e vendit duke respektuar parimet e konkurrencës”, deklaroi Ekonomi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKPK riçel hetimin për prokurorin Florian Bonjaku
Artikulli tjetërLame: Në 2021-shin, 1.51 milionë shërbime kadastrale dhe 242 mijë certifikata pronësie online