Ballina Flash

Përmirësimi i performancës së gjykatave, përmes anketave

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Përdoruesit e gjykatave tani në Shqipëri do të kenë mundësinë të vlerësojnë cilësinë dhe efikasitetin e performancës së gjykatave bazuar në përvojën e tyre individuale.

Sistemi i ri dhe inovativ online, i lançuar sot në Gjykatën e Rrethit Tiranë, do të synojë të mbledhë komentet e avokatëve, prokurorëve, ekspertëve, dëshmitarëve dhe palëve në një çështje gjyqësore, si dhe përdoruesve të shërbimeve administrative, me qëllim përmirësimin e shërbimit të drejtësisë.

Sistemi iu prezantua sot përfaqësuesve kryesorë nga institucionet e drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe media në një aktivitet publik të organizuar nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami theksoi rëndësinë e sistemit të ri online për të vlerësuar cilësinë e shërbimeve të drejtësisë dhe për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta në funksionimin e gjykatave nga këndvështrimi i përdoruesve.

“Sot ne kemi një instrument që e administron Këshilli i Lartë Gjyqësor, i pari në rajon, por edhe vende të tjera të BE-së nuk e kanë, që na jep mundësi të masim cilësinë e shërbimeve të ndryshme të gjykatave. Kjo përbën një risi për t’u përgëzuar, dhe dua të falënderoj Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e tyre”, u shpreh Llagami.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Rrethit Tiranë, Flamur Kapllani, në fjalën e tij përshëndetëse u fokusua në rëndësinë e këtij sistemi vlerësimi për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

“Ky pyetësor do na shërbejë për të identifikuar ato mangësi që gjykata nuk i sheh, dhe të mund t’i adresojmë këto mangësi duke përmirësuar shërbimet tona dhe qytetarët e publiku ta perceptojnë që drejtësia vërtet po jepet”, theksoi Kapllani.

Jutta Gützkow, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, në fjalën e saj njohu progresin në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimit publik të drejtësisë që u ofrohet qytetarëve shqiptarë, në përputhje me vlerat evropiane si pjesë e rëndësishme e reformës së vazhdueshme në drejtësi.

“Në këtë fazë të reformës në drejtësi, reagimet e përdoruesve të gjykatave, identifikimi i nevojave të tyre dhe vlerësimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara janë elementë kyç për të mbështetur gjykatat kombëtare për të ofruar shërbime të përmirësuara të drejtësisë për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Gützkow.

Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Hubert Perr, ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në forcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ai përgëzoi Këshillin e Lartë Gjyqësor për mundësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor si dhe mjeteve të teknologjisë së informacionit për këtë instrument, si dhe falënderoi Gjykatën e Rrethit Tiranë për mbështetjen në pilotimin e këtij projekti për herë të parë në Shqipëri.

“Përmes këtij pyetësori online dhe rezultateve që ai ofron rrisim transparencën, përgjegjshmërinë si dhe përmirësojmë imazhin e sektorit të drejtësisë në Shqipëri”, përfundoi Perr.

Platforma online do të pilotohet në gjykatat e rretheve të Tiranës dhe Vlorës për t’u shtrirë më tej në gjykatat e mbetura me finalizimin e hartës së re gjyqësore.

Përdoruesit e gjykatave mund të aksesojnë dhe plotësojnë anketën duke skanuar kodin QR nga tabelat e vendosura në gjykatë ose nëpërmjet faqeve përkatëse të internetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Matja e kënaqësisë së përdoruesve të gjykatës në lidhje me aspektet kyçe të shërbimit të drejtësisë synon jo vetëm të rrisë përgjegjshmërinë dhe reagimin e administratës të gjykatës, por edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, sistemi është një iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor i zhvilluar me mbështetjen e projektit të BE/KiE për Forcimin e Efikasitetit dhe Cilësisë të Drejtësisë në Shqipëri, pjesë e nismës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019- 2022”.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjykata pranoi ankimimin e Alibeajt, Kaso: Nuk përmbush asnjë kriter
Artikulli tjetërKQZ përfundon verifikimin paszgjedhor për zgjedhjet e 6 Marsit