PEKIN, 21 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti kinez, Xi Jinping i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta luftojë i bashkuar pandeminë.
“Ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve”, tha kreu i shtetit dhe i partisë në një fjalim në Forumin Ekonomik Aziatik.
“Që njerëzimi të arrijë një fitore përfundimtare kundër pandemisë Covid-19, nevojiten më shumë përpjekje. Është thelbësore që vendet të mbështesin njëri-tjetrin, të koordinojnë më mirë masat e reagimit dhe të përmirësojnë qeverisjen globale të shëndetit publik, në mënyrë që të formohet një sinergji e fortë ndërkombëtare kundër pandemisë”, theksoi ai.
“Ne duhet t’i konsiderojmë vaksinat kundër Covid-19 një të mirë publike globale dhe të sigurojmë aksesin dhe përballueshmërinë e tyre për vendet në zhvillim”, shtoi ai.
Në fjalën e tij, Xi nuk adresoi drejtpërdrejt situatën në Kinë, e cila aktualisht po përjeton valën më të keqe të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë.
Një shtetrrethim është në fuqi në Shangai, qendra ekonomike dhe financiare e vendit, dhe në qytete të tjera të mëdha.
Dhjetëra miliona njerëz nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ndërsa pjesa më e madhe e botës ka vendosur për të jetuar me virusin, Kina vazhdon t’i përmbahet politikës ”zero Covid-19”. /os/























