Ballina Flash

Kumbaro: Po rishikohet paketa e ndëshkimeve për krimet mjedisore

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se, është ngritur grupi i punës dhe po rishikohet e gjithë paketa e ndëshkimeve administrative apo dhe penale për krimet mjedisore.

Duke folur për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kumbaro u shpreh se, “miratojmë brenda kësaj jave edhe projektet që janë paraqitur pranë Këshillit Kombëtar të Territorit për strukturat e përkohshme të shërbimit, të cilat i kemi parë që në vite janë zhvilluar nëpër plazhet tona pa një rend dhe të pa formalizuara dhe pa u miratuar. Besoj që kjo është një risi e këtij viti, të cilat do të monitorohen pastaj në zbatimin e tyre. Në radhë të parë, për të mos lejuar ndërtimet e paligjshme. Por, në radhë të dytë, edhe për të mos përfituar nga fakti që ngremë një strukturë të përkohshme, me materiale të lëvizshme dhe të lehta dhe për ta bërë atë më vonë pastaj betonizim të bregdetit”.

“Kjo është në vazhdim edhe të të gjitha masave që po marrim për pastrimin e territorit, qoftë sepse është jeta jonë e përditshme, qoftë sepse përgatitemi për një sezon turistik, të cilin e kemi si objektiv ta kemi sezonin shembullor, ose më të mirin sa i përket pastërtisë, me një bashkëpunim të ngushtë me bashkitë. Në këtë kontekst Kumbaro ndau edhe një ndër rezultatet e Këshillimit Kombëtar, i cili u shpreh ajo nuk ishte një surprizë për të dhe për ekipin drejtues, sepse tha ajo, “gjatë gjithë këtyre muajve, që nga tetori deri tani, kur kemi ecur çdo ditë përpara me Planin e Pastrimit Kombëtar, reagimet që na vinin nga të gjitha anët qoftë përmes rrjeteve sociale, apo në kontaktet tona, ishin reagime revolte nga qytetarët duke parë që kjo puna e ndotjes së mjedisit, e papërgjegjshmërisë së mënyrës sesi trajtojmë mbetjet e konsumit tonë të përditshëm, ka një element të thelluar të mungesës së qasjes, së edukimit dhe kulturës në raport me territorin. Reagimet kanë qenë, duhet t’i ndëshkojmë më shumë, duhet të bëjmë shembuj me sanksione, me gjoba etj.”, tha ministria.

Kjo gjë, theksoi Kumbaro, “na u konfirmua me mbi 77 % të të pyeturve, mbi gjysmë milioni të pyetur që kërkojnë rritjen, forcimin e sistemit të ndëshkimit, të gjobave në raport me ndotjen e mjedisit, si një krim mjedisor që fillon që nga hedhja e shishes deri tek ndotjet më të rënda, nga inertet apo nga bizneset në zonat turistike”.

“Kemi ngritur grupin e punë dhe po rishikojmë të gjithë sistemin, të gjithë paketën e ndëshkimeve administrative apo dhe penale për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, por sidomos për t’iu përgjigjur asaj që kemi prioritet për këtë mandat pastërtinë e mjedisit, të territorit që në fakt është mbrojtje e shëndetit”, tha Kumbaro.

E pyetur se çfarë masash janë marrë nga ministria për mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura në kuadër të investimeve të reja strategjike, ndërtimeve, Kumbaro tha se, “jemi në fakt në një proces interesant. Pas vendimeve të muajit janar të Këshillit të Ministrave, ku kemi zgjeruar territorin e Zonave të Mbrojtura nga 17 % që e kishim në 21 % të territorit dhe procesi që po ndodh tani është një proces shumë i ngushtë i administratës rajonale në të gjithë territorin, në të 12 administratat rajonale, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, për të marrë në dorëzim territoret e reja të cilat janë të përfshira në hartat e reja të Zonave të Mbrojtura”.

“Nga ana tjetër jemi në një sistem, pjesë e atij Pastrimit Kombëtar janë edhe të gjithë Zonat e Mbrojtura, edhe sepse kemi një numër shumë të lartë vizitorësh. në vitin e kaluar shënuam mbi 4 milionë vizitorë vetëm në Parqet Natyrore dhe Parqet Kombëtare, të cilat tashmë i kemi dhe më të shtrira. Dhe po ecim me planet e menaxhimit. Se nuk mjafton vetëm të përcaktojmë kufijtë, sigurisht na duhet që planet e menaxhimit të ecin paralel. Është një punë që merr kohë. Në këtë moment kemi 2 projekte në proces. Rikualifikimin dhe planin e menaxhimit të Parkut Natyror të Ulzës. Dhe gjithashtu një tjetër projekt për të përgatitur planin e menaxhimit të Zonës së Mbrojtur të lumit Vjosa, të shpallur Park Natyror nga kufiri i hyrit të lumit Vjosa me Greqinë, deri në grykëderdhjen e këtij lumi në Adriatik”, tha Kumbaro.

E pyetur nëse 3 muaj pas takimit me bashkitë ka një bilanc sa i përket aspektit të menaxhimit të mbetjeve, Kumbaro tha se, “në takim nuk ishin vetëm kryetarët e bashkive socialiste, ishin të 61 kryetarët për fshi dhe 1 bashki që nuk drejtohet nga një kryebashkiak socialistë. E para, sepse ne mendojmë që mjedisi, pastërtia e territorit nuk ka as flamur politik dhe nuk ka as pasaportë, është pa kufi. Dhe është ndër temat që na bashkon më shumë. Po të shikojmë edhe ligjin e 7-të që miratuam në Kuvend më 17 mars, për ndalimin e prodhimit, tregtimit dhe importimit të qeseve duke filluar nga data 1 qershor, mori në fakt dhe disa vota, jo pak, po mbi 10 vota, nga deputetët e opozitës, të cilët e patën më të fortë ndërgjegjen për shëndetin e fëmijëve të tyre sesa urdhrin politik”.

E dyta, shtoi Kumbaro, “sigurisht që e kemi pasur gjuhën e ashpër dhe do të vazhdojmë ta kemi të ashpër përsa kohë do të kemi në territor ende hotspote, të cilat nuk janë të ditës së sotme, mbase nuk janë dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e një kryetari bashkie që është aty prej 3 vjetësh, por është përgjegjësi e gjithë shoqërisë shqiptare prej 30 vitesh”.

“Sot ne po përballemi, jo thjesht me mbetjet që konsumojmë dhe hedhim në territor ditë për ditë, por po përballemi me keqmenaxhim, por edhe një mungesë dijeje dhe mungesë edukimi dhe mungesë vëmendjeje të 30 viteve, përsa i përket mënyrës sesi ne sillemi me territorin dhe duke menduar që pastërtia është deri tek pragu i shtëpisë time. Ndërkohë që e nisëm këtë nga pylli i Sodës në Vlorë, ku na u deshën praktikisht 4 muaj edhe me mobilizimin e Forcave të Armatosura për të shkulur, ndjesë për fjalën e rëndë që mund të përdor, zhulin e ngulur në një territor të pabanuar, por të frekuentuar nga qytetarët apo të keqpërdorur nga bizneset si venddepozitimi të mbetjeve. E theksoj këtë të bizneseve sepse sido që të jetë, bizneset mbeten ndotësit më të mëdhenj. Dhe parimi ndotësi paguan i përgjigjet asaj çka kanë kërkuar qytetarët tek Këshillimi Kombëtar”, tha Kumbaro.

“Kjo punë vazhdon përditë. Pra kemi treguar që nuk është as aksion dhe as simulim situatash. Por edhe sot që flasim çdo ditë të javës stafet e bashkive, stafet e administratave publike dhe gjithmonë e më shumë vullnetarë dhe të rinj i bashkohen kësaj pune. Unë mendoj që ne këtë gjë duhet ta bëjmë, jo vetëm çdo ditë në territor, por edhe duhet ta flasim çdo ditë në media, sepse është më e vështirë të pastrojmë 10 cm brenda kokës tonë, në raportin se si sillemi me mjedisin, sesa të pastrojmë qindra kilometra nga territori që të mos ndoten më”, u shpreh Kumbaro.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLeku fiton terren ndaj monedhave të huaja
Artikulli tjetërPërmirësimi i cilësisë së ajrit në Tiranë, Veliaj: Falë nismave të gjelbra dhe trefishimit të biçikletave