PARIS, 17 prill /ATSH-AFP/ – Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen nisin nesër javën e fundit të balotazhit, që do të shënohet nga një debat televiziv me rrezik të lartë për dy kandidatët, përpara përplasjes përfundimtare në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze, më 24 prill.
Një javë para zgjedhjeve, asgjë nuk është vendosur, edhe nëse sondazhet e fundit tregojnë se presidenti në largim fiton midis 53 dhe 55,5% të votave kundër rivales së tij të ekstremit të djathtë.
Një duel shumë më i ngushtë se në vitin 2017 kur Emmanuel Macron u zgjodh me 66% të votave.
Sfida e raundit të dytë është të bindë të pavendosurit dhe abstenuesit që ishin më shumë se 26% në raundin e parë.
Dhe veçanërisht për të mobilizuar elektoratin e majtë, arbitër i këtij dueli.
Që nga dita e parë pas raundit të parë, më 11 prill, dy finalistët dhanë vazhdimisht shenja të forta premtimesh ekologjike dhe sociale.
Përsëri të shtunën, kandidati Macron premtoi se politika e tij, nëse do të rizgjidhej, do të ishte ekologjike.
– Debati vendimtar –
Në këtë javë të fundit të fushatës që hapet para heshtjes zgjedhore të premten dhe votimit të së dielës, dueli televiziv i së mërkurës premton të jetë vendimtar.
Ky takim i madh, tradicional që nga viti 1974, mes dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet të mërkurën dhe do të arbitrohet nga një gazetar i kanalit publik ”France 2” dhe një i televizionit privat ”TF1”.
Në një kontekst tashmë të tensionuar të fushatës, dhe në një kohë kur e djathta ekstreme duket më afër pushtetit se sa ka qenë ndonjëherë, ky debat mund të jetë një pikë kthese.
”Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron luajnë shumë rëndë”, vlerëson sociologu dhe specialisti i komunikimit politik, Philippe Riutort.
Në vitin 2017, debati rezultoi katastrofik për zonjën Le Pen, e cila u shfaq e ethshme, agresive dhe e papërgatitur ndaj Emmanuel Macronit dhe shumë analistë besojnë se ai kishte kontribuar kryesisht në humbjen e saj.
Pesë vjet më vonë, zonja Le Pen, e cila ka zbutur imazhin e saj, ka punuar në programin e saj dhe ka bërë fushatë në nivel lokal duke u shfaqur shumë më presidenciale.
“Jam gati sepse kam eksperiencën, kam punuar shumë për këtë projekt, e rafinova projektin tim me francezët, kam një projekt serioz, të balancuar dhe të koduar”, tha ajo të premten e kaluar.
Ndërkoh, të shtunën, tha se ishte “jashtëzakonisht e qetë”.
Nga ana e tij, presidenti në largim nuk e nënvlerëson këtë takim.
Macron, i cili nuk gëzon më përfitimin e risisë si pesë vjet më parë, duhet të përpiqet të mposhtë kundërshtaren e tij duke theksuar veçanërisht aspektet radikale të saj mbi emigracionin apo institucionet.
Ai gjithashtu do të përpiqet të korrigjojë imazhin e tij shumë të djathtë duke dërguar tani sinjale në të majtë.
– Fushatë gjithëpërfshirëse –
Një ditë pas raundit të parë, më 10 prill, i fituar nga zoti Macron (27,8%) përpara zonjës Le Pen (23,1%), të dy kundërshtarët u kthyen në fushatë, duke shumëzuar udhëtimet në terren, vizitat dhe ndërhyrjet në radio apo televizion.
Pas një pushimi të shkurtër, zonja Le Pen do të pushojë sot dhe të hënën e Pashkëve, ndërkohë që edhe Emmanuel Macron nuk ka asgjë në axhendën e tij zyrtare përpara intervistave të nesërme, dy kundërshtarët do të fillojnë sprintin final.
Le Pen duhet të bëjë një udhëtim përpara se të zhytet sërish në përgatitjet për debatin e së mërkurës, sipas njerëzve përreth saj, dhe ajo do të mbajë takimin e saj të fundit madhor të enjten në veri të Francës, në Arras.
Macron do të rifillojë gjithashtu vizitat në prag të zgjedhjeve që, sipas kandidatëve, nuk është asgjë më pak se sa një “përplasje qytetërimesh”./ (Nga Cécile Feuillatre) a.jor.























