Ballina Aktualitet

KLP miraton caktimin e përkohshëm të prokurorëve në Korçë dhe Shkodër

TIRANË, 13 prill /ATSH – I. Vata/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës plenare.

Mbledhja është mbajtur në prezencë të nëntë  anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuarëve përfaqësues nga Programi OPDAT.

Nën drejtimin e kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, mbledhja ka nisur me miratimin e proces-verbaleve të seancave plenare, të datave 28 dhe 31 mars 2022.

Këshilli ka miratuar unanimisht, projekt-aktet për dy caktime të përkohshme, respektivisht, Irena Çunoti, në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë dhe caktimin e përkohshëm të Gëzim Spahiu, prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, për një periudhë pesë ditore.

Në vijim, Këshilli ka miratuar unanimisht edhe komandimin e një prokurori në pozicionin e Këshilltarit të Etikës, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi komandimin e Hysen Keta, në pozicionin e Këshilltarit të Etikës, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për një afat kohor 5-vjeçar.

Sipas rendit të ditës, është vazhduar me miratimin unanim të projekt -aktit për përfundimin e procedurës së transferimit pa pëlqim, në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.

Pas një sërë diskutimesh, Këshilli vendosi të miratojë me 7 vota pro, projekt-aktin për veprimtari jashtë funksioni për Adnan Hoxha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

Në përfundim, Këshilli ka miratuar unanimisht, edhe tre raporte për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit, respektivisht për Ylli Bashaj, Rajmonda Berisha dhe Edlira Bako.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSako marrëveshje me Dhomën e Tregtisë për mbrojtjen e klimës së biznesit në Durrës
Artikulli tjetërDenoncimet për shkelje të Kodit Zgjedhor, Komisioneri administron provat