TIRANË, 11 prill /ATSH – I. Vata/ Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklasifikon 4475 faqe dokumente të të majtës shqiptare në kohë të regjimit komunist.
Prej më shumë se një viti, AIDSSH dhe FES u bënë bashkë në një projekt serioz dhe sfidues, për të ndriçuar këtë aspekt të historisë sonë të afërt. Dhjetë intelektualë të mirënjohur, filozofë, gazetarë, mendimtarë e përkthyes, shkrimtarë e njohës shumë të mirë të dinamikave në vend e jashtë tij, u trajtuan me profesionalizëm dhe në dritën e dokumenteve historike.
4475 faqe dokumente u deklasifikuan nga AIDSSH dhe u vunë në dispozicion të gjashtë studiuesve që iu qasën në mënyrë shumëdisiplinare profileve të përzgjedhura, duke riskicuar në të njëjtën kohë tablonë e mendimit politik të së majtës në Shqipëri, në kuadër të mendimit politik botëror të së majtës përgjatë shekullit XX.
Sejfulla Malëshova, Konstandin Çekrezi, Tajar Zavalani, Musine Kokalari, Isuf Luzaj, Skënder Luarasi, Petro Marko, Xhevit Qesja, Isuf Keçi, Zef Mala e të tjerë janë personalitete që u frymëzuan nga aspiratat për drejtësi shoqërore dhe punuan për ta ngritur e formësuar të majtën në vend, si e majtë europiane.
/r.e/














