Ballina Ekonomi

Drenova: Linjat e interkonjeksionit në gjendje optimale

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Skerdi Drenova theksoi sot se “linjat e interkonjeksionit kanë një vëmendje të veçantë janë të pangarkuara dhe janë në gjendje optimale si për të përballuar importin, apo çdo lloj nevoje që mund të ketë KESH-i, për të eksportuar, për të balancuar energjinë, të cilën mund të jemi të detyruar ta prodhojmë dhe ta depozitojmë në Kosovë”.

Gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë, Drenova tha se dy prioritetet që ka sistemi i transmetimit janë linjat e interkonjeksionit, të cilat shërbejnë si për të importuar dhe eksportuar sasitë e nevojshme të energjisë, por fokusi kryesor gjatë këtyre 10 ditëve të fundit janë maksimalizimi i prodhimit të hidrocentraleve të vegjël.

“Ekipet  e OST-së janë në terren për të minimizuar kohën e defekteve që mund të ketë në linjat 110 kV që mbajnë peshën kryesore për hidrocentralet e vegjël, që në këto momente janë në kapacitetet e tyre maksimale. Maksimalizimi i prodhimit të tyre sjell një avantazh në maksimalizimin e energjisë që duhet të prodhojmë në kaskadë dhe kjo është një nga ekulibrat që ne po mundohemi të maksimalizojmë në të dyja anët”, nënvizoi Drenova.

Por, vijoi ai, në çdo defekt që kemi pasur apo mund të kemi asnjëherë nuk ndikohet furnizimi i popullsisë me energji elektrike.

Sa i përket rrezikut “cyber-security” Drenova u shpreh se, “nuk kemi pasur probleme, janë sulme minimale dhe deri në këto momente, edhe pse jemi në gjendje alerti, nuk shikojmë asnjë rrezik potencial të mundshëm”.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Johnson i bën thirrje popullit rus të refuzojë luftën e Putinit në Ukrainë
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky: Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk po funksionon në mënyrë efektive