Ballina Aktualitet

Basha: Do vazhdoj të punoj për PD

TIRANË, 31 mars/ATSH – I. Vata/ Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se nuk heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve.

Basha ka shpjeguar dhe arsyen e mungesës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

Në një prononcim për mediet para hyrjes në seancën e Kuvendit, Basha u shpreh se, “nuk heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. PD duhet të kthehet në një alternativë dhe një shpresë për njerëzit”.

“Do vazhdoj të punoj për PD, sepse një nga arsyet e aktit të dorëheqjes time personale ishte për t’i dhënë mundësinë çdo forumi të Partisë Demokratike dhe gjithë demokratëve të kenë mundësinë lirisht të diskutojnë dhe të vendosin dhe jo nën presion. Kjo ka qenë arsyeja se pse sot për t’i dhënë mundësinë për të diskutuar lirish dhe jo ashtu siç ndodhi, vendosa për të mos qenë i pranishëm në një mbledhje, që për fat të keq u paralajmërua që dje që kishte të gjitha gjasat të degradonte në konfrontim dhe jo në një mbledhje të frytshme për të cilën ka nevojë grupi parlamentar i PD-së, për një frymë bashkimi rreth vlerave dhe jo përçarje”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se si e sheh rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar të PD-së, Basha u shpreh se “kam bërë dhe do të bëj gjithçka që PD të bashkohet rreth vlerave për të cilat është krijuar, dhe një nga vlerat themelore të sanksionuara në statusin e PD-së është orientimi euroatlantik. Është në bazë të këtyre vlerave që kam marrë vendimet e mija, është në bazë të këtyre vlerave që unë kam marrë dhe përgjegjësitë e mija”.

“Unë e kam të qartë rrugën të cilën duhet të përshkojë PD për t’u kthyer në një alternativë dhe do të punoj pareshtur për këtë rrugë. Ujërat mund të jenë akoma të turbullta, por do sqarohen”, tha ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Krijohet “dyshemeja” e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës
Artikulli tjetërSpiropali: PD në pushtet me ministra e deputetë të inkriminuar, për Bllakon veproi Reforma në Drejtësi