TIRANË, 31 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në Kuvend se Paketa e Rezistencës Sociale është shumë më e mirë se paketat e vendeve të tjera të rajonit, që opozita po i paraqet si shembuj të mrekullueshëm.
Duke folur për Paketën e Rezistencës Sociale, Balluku u shpreh se “qeveria shqiptare ka vendosur të mbrojë gjithë qytetarët shqiptarë nga ekspozim i çmimeve të larta të energjisë dhe e ka nisur këtë mbrojte që nga muaji gusht”.
“Ju, deputetët e opozitës thoshit atëherë se kjo ishte një tymnajë e Kryeministrit. Ndërkohë tani, pavarësisht rritjes në tregjet ndërkombëtare çmimi i energjisë po qëndron i fiksuar për të gjithë abonentët familjarë dhe biznesin e vogël”, tha Balluku.
Ministrja hodhi poshtë pretendimet e opozitës se çmimet e produkteve të shportës janë ndikuar nga rritja e çmimit të energjisë, duke theksuar se rritja ka ardhur si pasojë e tregjeve ndërkombëtare.
“Kjo është një situatë e rëndë që po rëndon mbi çdo familje dhe qeveri, por tregu po përballet edhe me mungesën e produkteve, duke nisur nga nafta e gazi dhe duke përfunduar te vaji i lulediellit”, tha Balluku.
Ministrja iu përgjigj edhe pretendimeve të opozitës, sipas së cilës të gjitha rrugët në vend janë me koncesion, duke shtuar se “kjo është një e pavërtetë e madhe”.
Balluku tha se “rrugët që ne mirëmbajmë e ndërtojmë janë 3600 km, nga të cilat me koncesion janë 114 km në Rrugën e Kombit dhe 170 km në Rrugën e Arbrit, ndërsa më shumë se 3400 km të tjerë mirëmbahen nga ARRSH”.
Ministrja informoi po ashtu se “‘Wizz Air’ ka caktuar edhe një avion tjetër për të operuar me Shqipërinë duke e çuar në 9 numrin e avionëve që kryejnë fluturime me vendin tonë.
“Kjo përkthehet në 147 fluturime javore, një volum i konsiderueshëm turistësh që do të vijë në vendin tonë. ‘Air France’ ka komunikuar se do të nisë fluturimet më herët dhe në rast se vendi do të ofrojë kapacitete për akomodimin e turistëve ‘Air France’ do të qëndrojë në Shqipëri”, tha ministrja.
Por sipas saj, “nëse opozita i nxin faqen këtij vendi vetëm për të shkatërruar imazhin e Shqipërisë, unë nuk e di si mund ta tregojë angazhimin ndaj qytetarëve dhe vendit”.
Ministrja shtoi se “ne sot, në kushte shumë të vështira po vazhdojmë të gjitha kantieret që kemi hapur. Kemi arritur në 1.2 km hapje të tunelit të Llogorasë, nga 5.9 km në total dhe kjo pavarësisht 3 viteve të krizave”.
“Këto janë fakte që nuk i mohoni dot. Në qershor hapim tunelin e Skërficës. Kardhiqi është pika lidhëse mes Gjirokastrës dhe Sarandës. Ne menaxhuam situatën e pandemisë dhe njëlloj do të menaxhojmë edhe krizën përmes paketave sociale dhe mbështetjes ndaj qytetarëve që kanë më shumë nevojë”, tha Balluku.
Balluku informoi se sot është mbledhur Bordi i Transparencës për çmimin e karburanteve dhe çmimi i naftës për nesër do të jetë më i ulët, se e ka reflektuar bursa.
/a.a/r.e/






















