TIRANË, 30 mars/ATSH – I. Vata/ Në kalanë e Gjirokastrës vijojnë punimet për përforcimin dhe konsolidimin e strukturës mbajtëse.
Lajmi bëhet i ditur nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili informon se në këtë kala vijojnë punimet për përforcimin dhe konsolidimin e strukturës mbajtëse, si dhe ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse, në zbatim të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.
Në projekt parashikohet zbatimi i masave paraprake për adresimin e shqetësimeve urgjente për sigurinë dhe parandalimin e humbjes së strukturave të trashëgimisë në Kalanë e Gjirokastrës”, pjesë e “Programit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”, financohet nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kjo kështjellë e gurtë, cilësohet si monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
E vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit qëndron hijerëndë kalaja e Gjirokastrës.
/a.a/r.e/























