PRISHTINË, 24 mars/ATSH/- Kosova nesër do të jetë në ditë zie për shkak të vdekjes së mikes së madhe të shqiptarëve, ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.
Me vendim të Presidentes Osmani, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njoftoi se edhe seanca e sotme e Kuvendit është shtyrë për ditën e hënë në orën 10:00.
“Ne e kemi paraparë seancën për sot të jetë e rregullt, por për shkak se ndërroi jetë ditën e kaluar sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright që ka dhënë një kontribut të cilin kurrë nuk do ta harrojmë si popull për lirin dhe pavarësinë tonë. E po ashtu para pak minutash presidentja sapo e shpalli ditë zie për shkak të kësaj ngjarjen ditën e nesërme, ditë zie në Kosovë. Edhe në konsultim me shefat e grupeve parlamentare që patëm pak më parë na u duk më e arsyeshme që për shkak të këtyre zhvillimeve ta zhvendosim seancën e sotme për ditën e hënë në orën 10:00”, u shpreh Konjufca.
Ish-sekretarja e SHBA-së ka ndërruar jetë mbrëmë në moshën 84 vjeçare. Ajo është gruaja e parë sekretare amerikane e Shtetit. Madeleine Albright mbrojti zgjerimin e NATO-së, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.
Albright për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës, me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në vitin 2019 iu zbulua busti i saj në Prishtinë. /KosovaPress/


















