Ballina Ekonomi

Shqipëri-Arabi Saudite, Komision i Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ishte në Riad të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku nënshkroi Protokollin e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shqipërisë.

Ky ishte, një finalizim i vizitës dyditore, gjatë së cilës Ibrahimaj zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë, si me ministrin e Investimeve Khalid Al Falih, drejtorin ekzekutiv të Fondit të Investimeve Sultan Al-Marshad dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Ajlan bin Abdul Aziz Al Ajlan.

“Me autoritetet saudite konfirmuam vullnetin dhe interesin e fortë për të çuar më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera, në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, u shpreh Ibrahimaj.

“Ftuam investitorët sauditë të investojnë në sektorë strategjikë, si energjia, hidrokarburet, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia, ku Shqipëria ka potencial të lartë”, theksoi ministrja.

Gjithashtu Ibrahimaj u shpreh se, “dakordësuam nisjen e procedurave për hartimin e një traktati dypalësh për mbrojtjen dhe inkurajimin e investimeve ndërmjet vendeve tona, si hapi i parë drejt krijimit të një këshilli të përbashkët në dobi të biznesit”.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBetimi i anëtarit të ri të Kushtetueses, Ambasada e SHBA: Reforma në Drejtësi vazhdon të ecë përpara
Artikulli tjetërSejko: Ekonomia botërore po përballet me çmime të larta, ndikim edhe në Shqipëri