Ballina Aktualitet

Festa e Sulltan Nevruzit/ Urimet

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Besimtarët bektashianë kremtojnë sot ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Autoritetet më të larta të shtetit dhe politikanë uruan besimtarët bektashianë për Festën  e Sulltan Nevruzit, e cila shënon fillimin e vitit të ri.

Presidenti Ilir Meta zgjodhi sot disa pamje nga nga mali i shenjtë i Tomorit për të uruar Sulltan Nevruzin, festën simbol të fitores së pranverës mbi dimrin, të shpresës mbi dëshpërimin.

“Shëndet të mirë dhe mbarësi për të gjithë! Ju ndihmoftë Abaz Aliu dhe të keni bekimet e Zotit!”, tha Presidenti.

Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uroi Ditën e Sulltan Nevruzit ku u se bektashizmi dhe bektashinjtë janë një mozaik vlerash shpirtërore.

“Sot bektashinjtë kremtojnë ditën e ringjalljes së shpresës, rilindjes së besimit dhe arritjes së lumturisë. Bektashizmi dhe bektashinjtë janë një mozaik vlerash shpirtërore, kulturore, njerëzore e komunitare, janë burim solidariteti, tolerance e paqeje”, tha Nikolla.

“Dita e Sulltan Nevruzit dhe festat e tjera fetare nuk i përkasin vetëm një komuniteti, por janë një festival vlerash, gëzimi e humanizmi, që shkojnë përtej besimit dhe kremtohen nga shumica e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka uroi Ditën e Sulltan Nevruzit, ditën e mirësisë dhe tolerancës.

“Me fillimin e pranverës si kohë ripërtëritjeje dhe shpresës së jetës në këto kohë sfiduese, i uroj besimtareve bektashinj paqe, begati dhe lumturi”, tha Xhaçka.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri uroi gjithë besimtarët bektashianë në këtë ditë të shënuar, që simbolizon lindjen e shpresës dhe ringjalljen e natyrës.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Bisedimet ruso-ukrainase të paqes vazhdojnë, pavarësisht luftës në front
Artikulli tjetërFesta e Sulltan Nevruzit, Rama: Ju uroj të gjithëve një ditë me dritë brenda vetes