Ballina Aktualitet

Meta dekreton 2 ligje

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar me shpallje 2 ligje.

Në një njoftim të Institucionit të Presidentit të Republikës thuhet se, Meta ka dekretuar ligjin nr. 19/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Kontrollin e Dëmit nga Sistemet për Mbrojtjen Antivegjetative në Anije (anti-fouling), 2001”.

“Aderimi i Shqipërisë në këtë Konventë do të duhet të shoqërohet me masat përkatëse që synojnë reduktimin deri në eliminim të efekteve negative në mjedisin detar dhe shëndetin e njeriut, të shkaktuara nga sistemet e mbrojtjes antivegjetative për anijet (anti-fouling)”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, vijon Presidenca, “me bërjen pjesë të kësaj Konvente, organet publike përgjegjëse duhet jo vetëm të ndërgjegjësojnë anijet që gëzojnë të drejtën të ngrenë flamurin shqiptar, apo të operojnë nën autoritetin e vendit, për detyrimet që përmban Konventa mbi kufizimet e ndalimet e përdorimit të sistemeve të dëmshme antindotje, por edhe të forcojnë kontrollet në drejtim të respektimit të rregullave, që Konventa përcakton”.

Presidenti gjithashtu ka dekretuar ligjin nr. 20/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare”.

“Pjesëmarrja e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë (IHO), si autoritet teknik për hidrografinë dhe hartografinë detare në nivel ndërkombëtar, do të sigurojë masa shtesë për mbështetjen e sigurisë lundrimore dhe mbrojtjen e mjedisit detar”, thuhet në njoftimin e institucionit të Presidentit të Republikës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nga prilli përgjysmohet taksa për pagat deri në 50 mijë lekë
Artikulli tjetërEksportet u rritën në shkurt me 50.5 %