BERLIN, 18 mars /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka paralajmëruar se nuk mund të konsiderohet si një e vetme Rusia dhe presidenti i saj, Vladimir Putin.
“Nuk ishte populli rus ai që mori vendimin fatal për të pushtuar Ukrainën. Kjo luftë është lufta e Putinit”, tha Scholz gjatë një ngjarjeje të organizuar nga fondacioni ”Friedrich Ebert” për të nderuar politikanin socialdemokrat (SPD) Egon Bahr.
“Ky diferencim është i rëndësishëm. Është i rëndësishëm për të mos rrezikuar rivendosjen e marrëdhënieve miqësore midis gjermanëve dhe rusëve pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Scholz.
“Është gjithashtu e rëndësishme për të jetuar së bashku me rusët dhe ukrainasit në Gjermani”, shtoi ai.
“Dhe është e rëndësishme t’u tregojmë një gjë burrave dhe grave të guximshme ruse që po dalin në rrugë duke rrezikuar jetën e tyre për të protestuar kundër agresionit të Putinit. Ju nuk jeni vetëm. Ne jemi bashkë me ju. Kjo Rusia tjetër është baza e marrëdhënieve gjermano-ruse në të ardhmen”, theksoi ai.
Politikani i SPD-së Egon Bahr, i cili vdiq në vitin 2015, konsiderohet arkitekti i politikës së ish-kancelarit Willy Brandt të quajtur Ostpolitik në gjermanisht, politika e jashtme e vendeve të Evropës Perëndimore qe rezultoi në miratimin e traktateve me ish-Gjermaninë Lindore, Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik./ /a.i/























