Ballina Aktualitet

Meta: Ndëshkim i veprimtarive abuzive në përmbarim

TIRANË, 16 mars/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, kryetarin Tedi Malaveci dhe anëtarin e Këshillit Drejtues, Admir Beqiri.

Presidenti u informua me shqetësimet e mijëra qytetarëve, veçanërisht nga shtresat në nevojë, të cilët hasin vështirësi për të përmbushur detyrimet e shitura si të transferuara, për mbledhje nga institucione financiare jobankare, në mungesë transparence, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për ta.

“Do të ndjek me shumë vëmendje problematikën, në ballafaqim me të gjithë aktorët institucionalë, për t’i nxitur ata që të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në përputhje me ligjin dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve, të cilët detyrohen për t’u përfshirë në marrëdhënie të reja kredimarrjeje”, tha Meta.

Sipas tij, “nevojitet një ndërhyrje e qartë shtetërore për të ndihmuar këtë kategori, ashtu si dhe një angazhim serioz interaktiv i institucioneve përgjegjëse për të ndalur dhe ndëshkuar pa vonesa çdo veprimtari abuzive”.

“Mbështes angazhimin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësore Privatë, për referimin në organet ligjzbatuese të çdo veprimi të paligjshëm, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, për penalizimin edhe të vetë përmbaruesve gjyqësorë që angazhohen në veprimtari joligjore për mbledhje detyrimesh në shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve”, shtoi Presidenti.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbyllen gangrenat mjedisore në Berat, Kuçovë e Dimal
Artikulli tjetërSektori i prodhimit rrit shitjet