Ballina Ekonomi

Rama: Komitet Teknik për çmimet bazë

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për të menaxhuar situatën e krijuar në çmimet e mallrave pas agresionit rus në Ukrainë do të ngrihet një Komitet Teknik.

Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, Rama tha se Komiteti Teknik për çmimet bazë do të funksionojë njësoj si në kohën e pandemisë.

“Skenari ynë është të kemi kapacitet dhe të vijojmë të paguajmë energjinë. Që ne të mos lëmë që energjia të rritet. Nëse do të vijohet me këtë çmim, duhen 650 milionë euro, që është një buxhet më vete investimesh. Ne do të bëjmë këtë gjë me çdo kusht. Besoj shumë se çmimet do fillojnë të balancohen. Do ketë një adoptim. Çmimi i energjisë ka dhënë shenja pozitive rënie. Edhe nafta. Por ekspertët thonë se çmimi i energjisë nuk do të shkojë kurrë aty ku ishte. Çmimet e tjera do të balancohen. Do të shikojmë strukturën e çmimit dhe bursën dhe nuk lejojmë të bëjnë lojëra me tabelat. Për çmimet bazë po krijojmë në taskforcë, po krijojmë një komitet teknik për të qenë gati. Siç bëmë me pandeminë. Por edhe këto teoritë e ekonomisë së tregut mund të sjellin probleme. Mund të kompromentosh furnizimin. Dhe duke shtrënguar atë që bën distributorin mund ta çosh në bllokim. E tendenca është ta ulësh, ta çosh në cep, por duhet kujdes për të mos e çuar aty ku mund ta bllokosh zinxhirin”, tha Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArtisti grek hap ekspozitën “Ne jemi heronjtë tanë” në Muzeun Kombëtar
Artikulli tjetërKuvendi debat për pr/rezolutën e anëtarësimit të Kosovës në organizatat Euroatlantike