TIRANË, 9 mars/ATSH/ Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është organizuar një aktivitet në kuadër të dyvjetorit të fillimit të pandemisë në Shqipëri, me praninë e ekspertëve dhe mjekëve që kanë kontribuar në këto dy vite për përballimin e situatës.
Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino duke u kthyer pas në kohë, e cilësoi vendim të duhur, atë të mbylljes dhe izolimit të popullatës në fillimet e pandemisë COVID-19.
“Dhe për të gjithë korin se si u mbyllën, pse u mbyllën, ishte që ne në të njëjtën kohë të përgatiteshim pikërisht në atë kohë së bashku me një grup ekspertësh edhe të huaj. Natyrisht çdo gjë, një pjesë të mirë të gjërave i kishim të parashikuara në ligjin e sëmundjeve infektive. Mua më kujtohet kur në 2016 në një paragraf që është i cituar mbyllja e plotë, një pjesë e deputetëve të Parlamentit filluan të qeshnin dhe të na thoshin që kjo s’ka për të ndodhur ndonjëherë dhe unë normalisht nuk e mendoja që në jetën time ta zbatonim plotësisht këtë gjë. U zbatua dhe sot dimë se si të zbatohet më mirë dhe si mund të parandalohet më mirë dhe natyrisht kjo mbyllje bëri që Shqipëria gjithashtu të mbronte ata që kishte më të dobët”, tha Bino.
Duke folur për kapacitetet testuese në vend, Bino tha se laboratori i ISHP-së është pajisur me aparatura të teknologjisë së fundit.
“Por sot kemi arritur që ky laborator të jetë plotësisht i automatizuar, është një element i rëndësishëm dhe kjo falë mbështetjes kombëtare por edhe mbështetjes së të gjitha qeverive dhe gjej rastin të falënderoj qeverinë e SHBA dhe CDC për të gjithë investimin madhor që ka bërë në laboratorin e virologjisë dhe në të gjitha kapacitetet e virologjisë dhe survejancës së sëmundjeve infektive. Krijuam një partneritet publik dhe privat. Sot kemi një databazë kombëtare që na e kanë zili shumë vende, që në çdo moment, edhe tani nga celulari im mund të gjejmë se cili prej jush, kur është testuar, sa herë është testuar në publik ,në privat me PCR, me test të shpejtë dhe sot falë këtij sistemi çdo qytetar mund ta marrë edhe ne e-Albania, pra mund ta printojë”, tha Bino.
Teksa vuri theksin në vijimin e Programit Kombëtar të Vaksinimit ndaj COVID-19, Bino tha se aktualisht kemi të vaksinuar 60% të popullsisë.
“Aktualisht që flasim kemi vaksinuar 60% të popullsisë. Kemi aplikuar 83% të vaksinave të mbërritura, pra është një arritje”, tha Bino.
Në fjalën e saj, Bino falënderoi bashkëpunëtorët në terren dhe Komitetin Teknik të Ekspertëve për përballimin e shumë elementëve, të cilët siç tha ajo, mund të ishin shumë më të këqij./m.m//a.a/























