Ballina Flash

Mblidhet Komiteti Këshillimor i Sektorit Privat të Turizmit

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Mblidhet Komiteti Këshillimor i Sektorit Privat të Turizmit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se ky Komitet u mblodh me 17 përfaqësues nga shoqatat e turizmit, dhomat e tregtisë, sektori i arsimit si edhe federatat sportive.

Në këtë mbledhje të parë të Komitetit Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit, ministrja Mirela Kumbaro Furxhi falënderoi të gjithë përfaqësuesit për punën që po bëjnë në drejtim të zhvillimit të turizmit në vend, duke diskutuar edhe për nisma konkrete që mund të përmirësojnë sektorin nisur nga ky sezon turistik.

Kumbaro theksoi se në fokus të kësaj mbledhjeje ishte zhvillimi i turizmit sportiv dhe natyror.

“Mblodhëm Komitetin Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit me 17 përfaqësues nga shoqatat e turizmit, dhomat e tregtisë, sektori i arsimit si edhe federatat sportive me fokus zhvillimin e turizmit sportiv dhe natyror”, tha Kumbaro.

Kumbaro shtoi se nuk ka kryefjalë tjetër veç koordinimit me të gjitha palët.

“S’kemi kryefjalë tjetër veç koordinimit me të gjitha palët. Ne për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. Ata për të ofruar në treg cilësinë e turizmit sipas standardeve që duam dhe vizionit që kemi përcaktuar”, u shpreh Kumbaro.

Komiteti, ndër të tjera ka në fushën e përgjegjësisë së tij trajtimin dhe shqyrtimin e çështjeve që kanë lidhje me veprimtarinë turistike të sektorit privat, sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe ministrisë, dhënien e mendimeve gjatë shqyrtimit të akteve ligjore që kanë lidhje me turizmin, planifikimin e zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit apo këshillimin në lidhje me zbatimin e Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit dhe Planit të Veprimit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti: Zhvillimet në Ukrainë e bënë të qartë nevojën e integrimit evropian të Kosovës
Artikulli tjetërINSTAT: Në janar eksportet e mallrave, 35 miliardë lekë