TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, deklaroi sot se inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit janë në shkelje flagrante të ligjit, ndërsa theksoi se përgjegjësit duhet të jenë përpara drejtësisë.
“Ishte një ditë shumë e gjatë, një ditë me 10 orë mbledhje ku kemi dëgjuar fakte shumë të rëndësishme por nga ana tjetër kemi parë nga PS se si është bërë sot mburojë e marrjes së dëshmitarëve në pyetje. Kjo nuk na penguar aspak që ne ta vazhdojmë punën megjithëse mes konfliktesh”, u shpreh Tabaku në një deklaratë për shtyp nga selia e Kuvendit.
Sipas saj, sot drejtoresha e Agjecisë së Prokurimeve Publike konfirmoi në Komisionin Hetimor që nuk ekziston asnjë procedurë koncesioni për inceneratorin e Elbasanit.
“Praktikisht nuk ekziston për shtetin shqiptar Inceneratori i Elbasanit dhe përgjegjës i përfshirë drejtpërdrejt në këtë vendimmarrje është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Zonja e cila është sot në detyrë, konfirmoi që megjithëse ata e kanë kundërshtuar procedurën e koncesionit, ata kanë thënë që kjo që po bëni nuk është ligjore, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë ka marrë përsipër dhe ka çuar një vendim të Këshillit të Ministrave, në Kryeministri, e ka miratuar përsa i përket kësaj procedure koncesionare”, tha Tabaku.
Sipas saj, kjo vlen njëkohësisht edhe për Tiranën dhe për Fierin.
“Të gjithë të përfshirë nga i pari deri tek i fundit në vendimmarrje, kanë qenë në shkelje të ligjit, sigurisht me bekimin, miratimin dhe insistimin e ministrave të tyre dhe shefave të tyre. Ajo që ka ndodhur me procedurën e Elbasanit që nuk është publikuar, që nuk ekziston, pavarësisht kësaj është paguar nga buxheti i shtetit, është procedura me shkeljen më flagrante. E njëjta gjë me shkelje ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës, por njëkohësisht shkelje kanë ndodhur edhe për Inceneratorin e Fierit. Të tre inceneratorët nuk kanë pasur vlerësimin e ndikimit në mjedis, nuk kanë pasur leje mjedisore, nuk kanë plotësuar kërkesat e ligjit, kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin për sa i përket këtyre procedurave, por nga ana tjetër sot zbuluam që institucione zyrtare shtetërore i lanë duart dhe thanë se nuk na kanë përfshirë në këtë aferë”, deklaroi ajo.
Tabaku shtroi pyetjen se përse është përfshirë në këtë aferë vetëm Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
“Katër persona kyç i kanë lënë pa përfshirë, siç e kërkon ligji, pa marrë pjesë në vendimmarrje institucionet e tjera. Këta katër persona që kanë kryer këtë procedurë joligjore sot duhet të jenë përpara drejtësisë dhe janë përgjegjës për këtë aferë. Ne sot dëgjuam në fakt disa pohime shumë të rëndësishme nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, dhe unë besoj se e kemi trajtuar çështjen ashtu siç duhet. Këtu nuk bëhet fjalë për incenerimin si një alternativë, por fakti është: Përse u vendos që në Shqipëri të ndërtoheshin tre inceneratorë, kur të tre inceneratorët nuk kanë kapacitetin për të mbuluar nevojat që ka Shqipëria?”, u shpreh Tabaku.
Tabaku tha se gjatë këtyre ditëve iu është dhënë përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me incineratorët, ndërsa shprehu angazhimin për ta çuar deri në fund këtë hetim.
“Përse u vendos t’i jepej një kompanie që nuk ka asnjë ditë eksperiencë në këtë fushë ky proces incenerimi për të tre qytetet. Përse u vendos që kësaj kompanie që duhej të financonte me burimet e veta, që nuk kishte asnjë kapital, i dhanë kontratën koncesionare dhe i vendosi si barrë, si hipotekë. Përse u vendos që t’i jepej ky koncesion? Përse Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë vendosi ta kalojë vendimin e Këshillit të Ministrave, të paktën 10 vendime të Këshillit të Ministrave për të tre inceneratorët kur nuk kishte buxhet? Janë tenderuar para që nuk ekzistojnë. Cilat janë tarifat reale që ne po paguajmë? Ne i kemi dhënë përgjigje këtyre pyetjeve shumë të rëndësishme sot dhe sigurisht në ditët e shkuara. Jemi të angazhuar për të vazhduar për ta çuar deri në fund këtë aferë”, tha ajo.
Sipas saj, ashtu siç kemi provuar që të treja procedurat janë korruptive edhe zbatimi i kontratave është korruptiv.
“Ministrat përgjegjës dhe stafi i tyre duhet te jene përpara drejtësisë sepse po paguajmë para për procedura korruptive, për kontrata korruptive, por më e rëndësishmja para që kanë shkuar në xhepat e ish-zyrtarëve. Kompanitë e koncesionarit të Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës kanë paguar veten e tyre. Në kemi të gjitha faturat dhe do t’i vendosim në dispozicion. Kanë praguar shpenzime të jashtëzakonshme për incenerator qe nuk ekzistojnë. Kanë paguar shpenzime të papërballueshme për çdo biznes tjetër normal që punon dhe paguan taksa në Republikën e Shqipërisë. Kanë marrë monopolet për dherat në Tiranë. Kanë marrë monopole, licenca, kontrata dhe i kanë shtuar punën incenerator të Tiranës. Dhe të gjitha këto në i kemi provuar në komisionin hetimor. Unë i kërkoj sot shqiptarëve të bëjnë durim. Edhe pak ditë kemi në dispozicion dhe të gjithë do të shohin se si ne do të vendosim përpara përgjegjësisë zyrtarët që kanë firmosur dhe njerëzit politikë. Asnjë vendim nuk është marrë vetë nga zyrtarët, është marrë me vullnetin dhe mbrojtjen politike. Janë thirrur punonjësit në zyrat e shtetit për t’i presionuar për të firmosur për këto kontrata”, tha ajo.
Tabaku shprehu besimin se përgjegjësit janë të qartë, pasi çdo ditë po denoncohen faktet. ”Ditën e premte do vijojmë denoncojmë fakte të tjera që lidhen me zbatimin e kontratës me inceneratorin e Tiranës. Jemi në pritje njëkohësisht edhe të marrjes së dëshmisë së administratorit aktual të Fierit. Pyetjes kryesore se ku kanë shkuar paratë, po i jepet përgjigje me këtë komision hetimor. Të gjithë po kuptojnë që 430 milionë euro kanë shkuar në drejtim të paditur, në xhepat e Klodian Zotos, Morel Mërtirit, Stela Gugalljas të cilët kanë zbrazur edhe llogaritë bankare dhe janë larguar në kërkim ndërkombëtar përpara se të japin përpara drejtësisë dëshmitë e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi”, tha Tabaku.
Tabaku u shpreh se do të vijonte të publikojë faktet, pa asnjë kompromis, pa u intimiduar nga askush.
“Të gjithë qytetarët po e kuptojnë dita ditës Edi Rama, tre ministra dhe kryetar bashkie, njëkohësisht një grup zyrtarësh përgjegjës për këtë aferë po bëhet publike i gjithë grupi kriminal që në kemi denoncuar këtu e vite më pare”, u shpreh ajo.
PD: Afera e inceneratorëve dëshmoi se si qeveria ndërtoi një skenë korruptive kriminale
Partia Demokratike përmes një reagimi ka theksuar se, “dëgjesat e ditës së dytë të Komisionit Hetimor për aferën e inceneratorëve dëshmuan se si qeveria ndërtoi një skenë korruptive kriminale, që u kushton qytetarëve 430 milionë euro”.
“Çdo punë e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës është bërë nga kompani nënkontraktuese të krijuara nga pronaret e tyre, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugalljas duke përfituar miliona euro”, thekson PD.
“Të ardhurat pas sekuestrimit të kompanisë “Albtek -Enrgjy” ishin më pak se 5000 euro. Stela Gugallja ka zbrazur llogaritë bankare para arratisjes”, thuhet në reagimin e PD-së.
PD thekson në reagim se, “ndërkohë që merrte pagesa nga taksat e qytetarëve, inceneratori i Elbasanit ka marrë garanci sovrane nga buxheti i shtetit për të paguar rroga deri në 4 mijë euro. Koncesionit për inceneratorin e Elbasanit, iu shtua një tjetër koncesion pa procedurë nga qeveria, që i dha pa garë shitjen e energjisë për 25 vite”.
“Me paratë e qytetarëve, inceneratori i Tiranës ka blerë ‘Range Rover’ për 95 mijë euro dhe ‘Mercedes’ për 60 mijë euro. Bashkia e Tiranës shantazhon firmat e ndërtimit që të depozitojnë mbetjet në inceneratorin, që nuk është ndërtuar ende, me kosto shtesë prej 40 milionë euro”, përfundon reagimin PD.
/a.a/r.e/













