Ballina Bota

REPORTAZH – Shpresa e ukrainasve ngjyroset verdheblu në Ditën e Bashkimit

KIEV, 15 shkur /ATSH-ANSA/ – Besoj se së shpejti gjithçka do të përfundojë paqësisht, pasi është ende herët për të nxjerrë përfundime dhe për të besuar se asgjë nuk do të ndodhë, thonë Kristina, Volodimiri dhe Rima, një grup miqsh nga 22 deri në 24 vjeç, të cilët sapo i dhanë fund punës apo studimeve të tyre të përditshme.

Ata diskutojnë mes tyre të rejat më të fundit për fatin e vendit.

”Nuk do ta besojmë derisa të ketë një deklaratë zyrtare nga presidenti Zelensky”, shtojnë ata.

Me fillimin e tërheqjes së trupave ruse nga kufiri lindor, ata duket se marrin frymë lehtësisht, por vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, të mësuar me javë të tëra deklaratash nga liderë botërorë, pohime të vazhdueshme dhe mohime të mëvonshme mes Rusisë dhe Perëndimit.

Ata janë të bindur se një lojë po luhet për fatin e tyre, por në tavolina të tjera.

”Nuk mund të them me siguri nëse tërheqja është një lajm i mirë, sepse nuk është hera e parë që presim një sulm, nuk është hera e parë që jemi të tensionuar, nuk është hera e parë që trupat ruse mblidhen pranë kufijve tanë dhe më pas largohen”, thotë Kristina Makar, 22-vjeçare, stiliste, e cila ka studiuar në Universitetin e Kievit.

“Kjo është arsyeja pse të gjithë këtu janë relativisht të qetë. Kjo nuk është asgjë e re për ne. Për botën është, sepse vetëm tani është vërtet e interesuar për luftën në Ukrainën Lindore. Ndërsa ne jetojmë në këtë atmosferë që prej tetë vitesh”, thekson ajo.

Shërbimi sekret amerikan flet për një sulm të Vladimir Putin në Ukrainë më 16 shkurt.

”Por, presidenti Volodymyr Zelensky e shpalli këtë ditë, me dekret, si Ditën e Bshkimit, të bashkuar në dashuri për Ukrainën”, shton Kristina.

”Zelensky ftoi qytetarët të valëvisin flamurin ukrainas dhe të veshin ngjyrat kombëtare”, thotë ajo.

Dhe shumë të rinj shfrytëzuan rastin për t’u shitur kalimtarëve shirita të verdhë dhe blu.

”Këtë mëngjes historia ndryshoi, rusët filluan të tërhiqen”, deklaron me vetëkënaqësi Denisi, një student inxhinierie, i cili shet shirita verdheblu në stacionin hekurudhor të Kievit.

”Ne do të demonstrojmë unitetin tonë, edhe me këto ngjyra”, thotë ai.

Por, ndërsa një pushtim rus ende nuk është shmangur plotësisht dhe vendi pëson një sulm kibernetik masiv, në dekretin nr. 53 Zelensky gjithashtu kërkon që ”të ngrihet flamuri në të gjitha ndërtesat dhe strukturat publike”, për të promovuar imazhin e unitetit të Ukrainës si edhe të këndojmë himnin kombëtar së bashku në orën 10:00.

”Nuk e di nëse do të marrim pjesë, sigurisht që të gjithë, pasi do të duhet të shkojmë në punë”, komenton me pragmatizëm Kristina.

Pastaj shton se ”ndoshta do ta këndojmë himnin në zyrë”./ (Nga Laurence Figà-Talamanca) a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – OBSH: Rënie e ndjeshme e numrit global të rasteve
Artikulli tjetërARRSH: Ortek në Qafë Thore, po punohet për hapjen e rrugës