Ballina Flash

Kushi prezanton datat dhe rregulloren e Maturës Shtetërore 2022

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi prezantoi sot rregulloren e Maturës Shtetërore 2022, gjatë një takimi me maturantë nga gjimnaze të ndryshme të vendit.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin gjithashtu edhe zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit  Nina Guga, drejtoresha e përgjithshme e Politikave, Zamira Gjini dhe drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Aurora Balliu.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi theksoi se në bashkëpunim me të gjitha institucionet e varësisë do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore.

Prioritet në maturën e këtij viti do të jetë rritja e mëtejshme e cilësisë që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimit të maturës. Një vëmendje të veçantë do të ketë trajnimi i mësuesve të përfshirë në proces, hartuesit, administruesit, vlerësuesit, si dhe të gjithë mësuesit e angazhuar në gjimnaze për të përgatitur maturantët.

Datat e provimeve do të jenë 9 qershor për Gjuhën e Huaj, 11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, 17 qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.

Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40 % niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.

Ministria e Arsimit do të zhvillojë një tur të gjerë takimesh në qytete të ndryshme të vendit për të informuar dhe konsultuar më mirë me maturantët dhe mësuesit.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMSHMS: 449 raste të reja dhe 3 humbje jete nga COVID-19
Artikulli tjetërMOSKË – Scholz: Funksionimi i Nord Stream 2 nuk është miratuar ende nga Gjermania